Vitia: Kemi transformuar dukshëm infrastrukturën në shëndetësi
Shëndetësi
Lexohet për: 3 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Në politikat e shprehura në legjislacion, Ministria e Shëndetësisë ka synuar ligjin për shëndetësinë, ligjin për çmimin e barnave, ligjin për sigurimet shëndetësore, ligji për produktet dhe pajisjet medicinale.

Në panelin për shëndetësi të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia është shprehur se si ministri janë vonuar për këto ligje për shkak të post-pandemisë.

Vitia, ka thënë se vitin e kaluar ka hyrë në fuqi ligji për tavanin për çmimin e barnave, i cili iu mundëson qytetarëve të blejnë barna me çmime më të lira.

“Në legjislacion, kemi pasur katër ligje bazike të cilat nga fillimi jemi fokusuar që të bëhen sa më shpejtë, ligji për shëndetësinë, për sigurime shëndetësore, për tavanin e çmimit të barnave dhe ligji për pajisjet dhe produktet farmaceutike... Kemi filluar me legjislacionin me ndryshime prej të cilave prekin direkt mirëqenien e qytetarëve dhe rregullimin e sektorit. Vitin e kaluar ka hyrë në fuqi ligji për tavanin për çmimin e barnave, i cili është hera e parë që po bëhet në Republikën e Kosovës. Qytetarët e Republikës për herë të parë do të kenë mundësi të blejnë barna me çmime më të lira se të gjitha vendet e rajonit, çmime të unifikuara në të gjitha barnatoret dhe kjo do të ulët ndjeshëm harxhimet që bëhen nga xhepi i qytetarëve për blerjen e barnave”, ka thënë Vitia.

Ai ka shtuar se pandemia ka pasur ndikim në projektet e parapara në shëndetësi.

“Siç e dini edhe jemi vonuar, sidomos për ligjin për shëndetësi dhe për sigurime shëndetësore. Pandemia natyrisht ka ri-dizajnuar komplet dhe ri-projektuar komplet ato, të cilat ne nga fillimi kemi thënë dhe është dashur që në këtë drejtim jetën e qytetarëve ta vëmë para të gjithave në mënyrë që të kalojmë sa më shpejt këtë pjesë. Dhe për të vazhduar pastaj me ndryshimet dhe transformimet rrënjësore si në legjislacion ashtu edhe në infrastrukturë, me furnizime të qëndrueshme me barna dhe resurset njerëzore”, ka thënë ai.

Pas pandemisë, ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka punuar në avancimin e infrastrukturës shëndetësore, ku vetëm gjatë këtij viti ka pasur intervenime transformuese.

“Sa i përket infrastrukturës, shumica e infrastrukturës është një infrastrukturë e ndërtuar të viteve 60-70-ta një pjesë e vogël në vitet 80-ta dhe shumica e kësaj infrastrukture nuk i ka plotësuar as nevojat bazike për ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore për qytetarët e Republikës së Kosovës. Nëse e shihni vetëm gjatë këtij viti ka pasur intervenime të tilla që kanë transformuar infrastrukturën në mënyrë rrënjësore, në shumë klinika por edhe këtu përzgjedhjen që e kemi bërë e kemi bërë me bazë të nevojës së qytetarëve”, është shprehur ai.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024