Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka thënë që Kosova duhet të bëjë një kompromis në dialogun me Serbinë teksa ka kritikuar për ekzekutivin për disa vendime që kjo i konsideron si jo të zgjuara.
Në një intervistë dhënë për Tëvë1, eurodeputetja foli për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe nismën rajonale “Open Balkan”.
“Është më se e vërtetë që Procesi i Berlinit deri më tani nuk ka dhënë rezultatet e pritura, andaj duhet të jetë në fokus të kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Ndërsa nisma tjetër rajonale Open Balkan që është iniciuar nga dy shtet dhe e nuk gëzon mbështetje nga të gjitha palët, jam skeptike për këtë proces. Por mund të them që disa vendime që janë marrë nga kjo Qeveri nuk kanë qenë shumë të zgjuara, duhet më shumë bashkëpunim nëse dëshironi të integroheni në regjion”, u shpreh ajo.
Viola von Cramon thotë se Kosovës po i mungon vullneti në dialog, pasi sipas saj shteti ynë duhet të jetë i gatshëm për një kompromis final me Serbinë.
Mes tjerash raportuesja në Parlamentin Evropian tha se shpreson që brenda këtij viti do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.