Vetmi në kremlin...
Lexohet për: 7 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

(Dhe mbi drithin politik)

1. Tora Bora e Ukrainës

Diktatorët janë përherë të vetmuar.

Rrethi i ngushtë i tyre, si rëndom, ideologë, eprorë ushtrie, prijës shërbimesh të fshehta, polici politike e specialistë të hollë gënjeshtre
vetëm i pohojnë sovranit atë që hijerëndë kumton. Me përulje e betimzjarrtë: edhe kur flasin, edhe kur heshtin.

Putin kërkonte Rend të ri bote dhe shkëlqim Rusie si në kohët e arta të saj. Dhe ata i konfirmuan se Ora kishte ardhur. Armët ruse janë më të denja se kurrë për lavdi.

Por fushëlufta ndërlikohet. Armiku qëndron fort. Dronët kamikazë shpartallojnë kolonat mortore. Por, mbi të gjitha, është ideali i flijimit që prish strategjitë e Kremlinit.

E Tirani, si një bishë kafazi, tërbohet. Rikthen leksikun e Luftës së ftohtë. Bën me faj të gjithë. Jashtë, e sidomos brenda Rusisë, aty ku dora e tij arrin. Flet për patriotë e trathtarë. Shkarkon  sigurimsa të lartë, mbyll në burg shtëpie oficerë dhe arreston gjeneralë si, fjala vjen, zëvendëshefin e Gardës kombëtare Roman Gavrilov sepse pësonte humbje të parreshtura në fushëbetejë.

Pastaj, i ngecur në front, ai nxjerrë nga pluhnaja doktrinën e vjetër: unazën e urisë. Vjedh drithëra në hambarët e Ukrainës për të ligshtuar njeriun e qendresës.

Dhe, si t'mos mjaftojë kjo, ushtron represalje kundër blogerëve të dëgjuar moskovitë siç është Veronika Belocerkovskaja e të tjerë. Akuza është aq e njohur në stilin e përjetshëm të tiranëve: armiku i brendshëm kompromiton luftën e drejtë dhe përhap lajme gënjeshtare për humbjet e, njëkohësisht, krimet e luftëtarëve të atdheut të vet.

Mbase rusët mund t'a pushtojnë Ukrainën. Por, nëse s'ka një traktat të fshehtë për fatin saj ose nëse Fuqitë përendimore që demonizon Tirani nuk tërhiqen në indiferencë, ajo do mbytet në gropën e luftës si në malet Tora Bora të rezistencës afgane...

2. Mbështetja kineze

Kina mbështet që nga fillimi Rusinë në Ukrainë.

Kështu pohon me bindje  Avril Haines, koordinator i shërbimeve sekrete amerikane.

Tashmë dihet dhe shkaku shihet: Putin, komandanti suprem i ushtrisë së furishme, legjendare, i kërkon Kinës ndihmë ushtarake. A nuk jep ky detaj planin e pashkathtë, moralin e rënë, brezin inferior të armëve dhe, pra, Rusinë e dobët e të varfër?

Kina, ndërkaq, baraspeshon midis interesit tregtar dhe kohës inerte që mban peng obsedimin perëndimor me luftën e Ukrainës.

Dhe, ashtu, njëj preteksti të pritshëm e ideal të parashestojë gjasën e "Anschlussit tajvanez" me nënën Kinë...

3. Plani i fshehtë 

Do niste me një sulm rrezesh mbi radarët e
Natos. Pastaj avionë e
raketa SS 400 do fluturonin anonimë e t'pavërejtshëm mbi fortifikimet e Aleancës, tashmë të kapur në beft.

Kundërmbrojtja do thyhej ende pa filluar. Dhe britma ultimative e barbarëve për dorëzim kthen gjithçka në fitore spektakulare.

Por ata nuk ndalojnë vetëm në Baltik. Vijojnë tutje me vrull triumfal drejt Suedisë. Ishulli i saj strategjik Gotland i pushtuar lehtësisht do të bëhej, bashkë me Königsberg-un (Kaliningrad), pika qendrore e kontrollit të plotë të detit lindor.

Pas Ukrainës dhe Suedia do të firmoste neutralitetin nënshtrimtar për 99 vjet...

Ndërsa Perëndimi disfatohet, tkurret e poshtërohet, në Kremlin gatitet festa e ngadhënjimit kombëtar. Putini, një Ivan Grozn i dytë, shéjtnohet në Katedralen e Shën Vasilit. Dhe Rusia sërish ndan botën duke vënë nën thundër gjysmën e saj.

Një plan të tillë bëri publik në televizionin shtetëror "Rossiya 1" eprori Igor Koroçenko ish-pjestar i Shtatmadhorisë, e tani aviator rezervë lufte.

Për realizmin e këtij skenari fitimtar rus mund të flasin dijetarët e fushës. Por një pyetje mbetet e hapur: si mund t'a dekonspirojë strategjinë dinake të Kremlinit një epror i afërt me të? Dhe t'mos e bëj natën pas grilash?
Apo, mbase, është një truk i diktatorit Putin për të krijuar huti, ndërkohë që bluan e stërhollon një plan tjetër tinzar...

4. Gruri serb

Si mund të hahet buka e vrasësit?

Është një tezë që, nga shumëkush, qarkullon për grurin serbian dërguar Shqipërisë. Por, në fakt, kjo nuk është bukë e gjaksit. Nuk është darkë plot hije e pabesi në konakun e tij.

E pra, po t'mos kishte një motiv tjetër prapaskene, tregti e thjeshtë quhet ose do të quhej  sipas rregullit dhe interesave të ndërsjellta, si kudo botës sonë.

Më së paku dhe kryeulur, duhet të flasin kosovarët. E, njëkohësisht poaq, shqiptarët e Maqedonisë. Gruri i vrasësit importohej e në Kosovë bukë në sofër shtrohej, qysh në orët e para të kuqëlimta të lirisë. Madje, akoma pa varrosur dëshmorë e martirë në plojën e krimit, para së cilës vetë historia ndaloi me përulje e trishtim.

Aty, ndaj, ishte votra, gjenocidi, gjaku e dhimbja. Por nga Serbia, megjithatë, vinte gjithçka: edhe për foshnjet që ata vetëm disa  javë më parë i thernin me thikën vrastare.

Pse, vërtetë, duhej të ndërhynte qeveria me masën politike të reciprocitetit? Ku mbeti ndërgjegja popullore, sedra, dinjiteti dhe kultura kombëtare e kujtesës?

Mirëpo gruri serb i Ramës, kalon kufijtë e këmbimit të rëndomtë ekonomik. Ka një dimension krejt tjetër. Është një drith i kulluar politik. Dyfish i tillë: instrument serbi për peng e influencë në Shqipëri dhe një brez shpëtimi i Ramës për t'a nxjerrë sërish në breg Ballkanin e hapur. Të mbytur tashmë në kënetën e dështimit dhe tallazet e luftës në Europë.

Kjo anë, ndërkaq, e bën të rrezikshëm e të poshtër këtë lypje kurrizthyer të Ramës, si vetë regjimi i tij i errët!

5. Kosova në Nato

Sa naivë e periferikë disa publicistë a ekspertë sigurie që shpallin analizë të mprehtë mendimin dëshirak.

Dhe, me ndjesinë e çastit ideal, thonë: Kosova të hyjë me procedurë të ngutshme në Nato dhe Bashkimin europian.

Veçse kjo, mjerisht, ngjan e pamundur. Jashtë realitetit është për arsyet e ditura: refuzimi i pritshëm i "grupit mosnjohës", kriza me Serbinë dhe, më kryesorja,  shteti i së drejtës e demokracisë!

Mirëpo nëse Kosova nuk është në Nato, aherë është Nato në Kosovë.

Po a nuk është e njëjta gjë? Në fakt, struktura e saj është heterogjene, po fundja kush bën arktrarin e saj? Amerika dhe, ndaj, është pikërisht ajo që i del zot interesit shqiptar në Ballkan.

Sepse, ndryshe, reparte Atllantike dezertojnë shpesh për të refugjuar në gjeopolitikën e vjetër. Ishte Franca, fjala vjen, që sabotonte ndërhyrjen kolektive në Kosovën e luftës së fundit. Në vitin e saj të madh.

Që këtej, e rithem: a s'është e njëjta ombrellë mbrojtjeje kur Amerika, e pra Nato, gjendet e stacionuar përhershëm në Kosovë?

E besoj këtë, sigurisht!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024