Stadiumi “Bajram Aliu”, në të cilën i zhvillon ndeshjet klubi i futbollit Drenica, është defunksionalizuar dhe shkatërruar totalisht pas vërshimeve të javës së kaluar dhe shpresat që ai të rikthehet në gjendjen e mëparshme janë tejet të vogla.
Drejtuesit e klubit, por edhe ata të Komunës së Skenderajt, kërkojnë ndihmën e Ministrisë së Sportit si dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës për ta tejkaluar këtë situatë të vështirë.
“Nuk e di se çfarë ka më rëndë sepse çdo gjë që e kemi pasur e ka dëmtuar... Vlerësimet ende nuk i kemi kryer sepse deri para dy ditësh nuk kemi pasur mundësi as të hyjmë në stadium sepse vërshimet kanë qenë shumë të mëdha, por po mendoj që vlerësimet janë ato që shihen, së pari unë e shoh stadiumin në çfarë gjendje është, madje dhomat e zhveshjes që i kem pasur asgjë nuk ka mbetur sepse të gjitha i ka marrë uji dhe në fakt vetëm ekskavatori këtu funksionon, përndryshe nuk ka mundësi sepse besoj nëse tentojmë dhe mendoj ne të investojmë nuk ka mundësi sepse e ka dëmtuar shumë”, thotë Kodra Bekteshi.
Ajo shton tutje se për rikthimin e stadiumit në gjendje funksionale shpresat më të mëdha i kanë te Federata e Futbollit të Kosovës, por edhe te njerëzit që ia duan të mirën futbollit, sepse gjendja është vërtetë shumë e rënduar.
Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Komunën e Skenderajt, Alban Berisha, shprehet i shqetësuar me gjendjen në të cilën ka përfunduar ky stadium. Ai thotë se vërshimet shkatërruan gjithçka që ishte ndërtuar nga dora e njeriut në këtë impiant sportiv.
Sipas Berishës, mbi 200 mijë euro është vlera e dëmeve të shkaktuara.
Duke parë gjendjen tejet të rënduar të stadiumit, Berisha thotë se ka pak shpresa që ai të mund të rikthehet në gjendje normale për shfrytëzim për ndeshjet e stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.
“Realisht nëse qëndrojmë më këmbë në tokë, do të jetë e vështirë, presim të jetë shumë e vështirë. Do të marrim hapa konkret, do të bëjmë kërkesë edhe tek Federata e Futbollit të Kosovës, tek i pari i federatës edhe tek Ministria e Kulturës edhe do të shohim çfarë do të marrim përgjigje prej anës së tyre. Ne si institucione lokale fokusin komplet e kemi tek shtëpitë dhe familjet të cilat na kanë mbetur pa kulm mbi kokë aktualisht.”, shprehet Berisha.