Mediumi britanik BBC i ka kushtuar një artikull të veçantë vendimit të Bankës Qëndrore të Kosovës që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.
Sipas këtij mediumi, ky vendim ka shkaktuar shqetësim tek partnerët ndërkombëtarë.
Tutje, aty thuhet se serbët nuk kanë pasur njohur paraprake për planin e autoriteteve kosovare për të parrandaluar përdorimin e dinarit.
“Përdorimi i dinarit pasqyron faktin se shumica e popullsisë në katër komunat veriore të Kosovës janë serbë dhe shumë prej tyre punojnë në institucione të cilat ende financohen nga qeveria e Beogradit. Kjo do të thotë se pagat e tyre paguhen në dinarë. E njëjta gjë vlen edhe për pensionet dhe përfitimet sociale që u paguhen serbëve që jetojnë në Kosovë, të cilët janë shumicë në gjithsej 10 komuna. Ata kanë pasur pak njoftim për planin e autoriteteve për të ndaluar përdorimin e dinarit. Banka qendrore e bëri njoftimin vetëm në mes të janarit, duke mos lënë kohë për t'u përshtatur”, vazhdon shkrimi.
Sipas BBC, Qeveria e Kosovës ka treguar pak gatishmëri për t’i dëgjuar shtetet mbështetëse të vendit.
“Por qeveria në Prishtinë ka treguar pak prirje për të dëgjuar përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës. Në fakt, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi argumenton se rregulloret e reja nuk përbëjnë një ndalim të monedhës pasi ajo "nuk ishte e lejuar në Kosovë as më parë". Në vend të kësaj, politika synon “të mbrojë konsumatorët dhe sistemin e pagesave në Kosovë”, thotë ai.
“Për momentin, përkundër ndalimit, njerëzit në Mitrovicën e Veriut ende përdorin dinarë dhe madje mund t'i tërheqin ata nga makinat e parave të Bankës së Kursimeve Postare. Por për serbët e Kosovës, situata e monedhës shton një ndjenjë në rritje të pasigurisë”, thuhet në fund të shkrimit.