Vendet e Amazonës nuk arrijnë qëllimin e rënë dakord për t'i dhënë fund shpyllëzimit
Lexohet për: 2 min.
Amazona
1 vit më parë
Linku u kopjua

Tetë vendet e Amazonës nuk kanë arritur një objektiv të rënë dakord për t'i dhënë fund shpyllëzimit.

Delegatë nga këto vende po takohen në qytetin brazilian të Belem për një samit dy-ditor mbi këtë çështje, takimi i parë i tillë në 14 vjet, shkruan BBC, përcjell KosovaPress.

Një deklaratë e përbashkët të martën krijoi një aleancë për të luftuar shpyllëzimin, por e la çdo vend të ndiqte qëllimet e veta të ruajtjes.

Ruajtja e Amazonës është një pjesë qendrore e përpjekjeve për të trajtuar ndryshimet klimatike.

Përpara samitit, presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva kishte bërë thirrje për një qëllim të përbashkët për t'i dhënë fund shpyllëzimit deri në vitin 2030, një politikë që qeveria e tij tashmë e ka miratuar.

Rreth 60% e Amazonës, pylli më i madh i shiut në botë, shtrihet në Brazil. Vendet e tjera që marrin pjesë në tubim janë Bolivia, Kolumbia, Ekuadori, Guajana, Peruja, Surinami, dhe Venezuela.

Në fjalën e tij të hapjes të martën, Lula foli për "përkeqësimin e rëndë të krizës klimatike" dhe tha se "sfidat e epokës sonë dhe mundësitë që dalin prej tyre, kërkojnë që ne të veprojmë në njëzëshmëri".

“Nuk ka qenë kurrë kaq urgjente”, tha ai.

Shpyllëzimi në Brazil ka rënë në mënyrë dramatike që kur Lula fitoi presidencën nga paraardhësi Jair Bolsonaro, i cili favorizoi zhvillimin në vend të ruajtjes, por mijëra kilometra katrorë vazhdojnë të humbasin çdo vit.

Në deklaratën e përbashkët, e quajtur deklarata Belem, thuhet se aleanca e re do të synojë "të parandalojë që Amazona të arrijë në një pikë pa kthim".

Deklarata përfshin gjithashtu angazhime për të rritur bashkëpunimin për çështje si menaxhimi i ujit, shëndeti, zhvillimi i qëndrueshëm dhe pozicionet e përbashkëta negociuese në samitet globale të klimës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024