Veliaj uron Xhaferin: Arritje historike për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut
Lexohet për: 2 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj ka uruar Talat Xhaferin i cili nesër do të votohet si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ai në një postim në rrjetet sociale shkruan se ky vendim hap një epokë të re jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut.

“Çfarë lajmi i madh për Shqiptarët! Urime mikut tim Talat Xhaferi, urime kryetarit Ali Ahmeti për këtë arritje historike për shqiptarët! Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk ndan, por bashkon. Ai hap një epokë të re jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e Maqedonisë së Veriut, duke e vendosur atë në krye të vendeve për harmoni ndëretnike në Ballkan dhe në Evropë! Urime”, shkruan Veliaj.

Ndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të zgjedhë nesër Qeverinë teknike me mandatar Talat Xhaferin.  Mandati i saj do jetë 100 ditë, ndërsa detyra e këtij formati të organit ekzekutiv është përgatitja e vendit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.

Roli dhe kompetencat e kryeministrit teknik i cili buroi si ide e negociatave të “Përzhinës” në vitin 2015 është i kufizuar, përkatësisht është i cunguar nga fuqia ekzekutive.

Ligji mbi Qeverinë përcakton kompetencat e organit ekzekutiv dhe të resorëve brenda saj, kryesisht të atyre që udhëhiqen nga opozita apo kanë zëvendësministra plotësues.

“Të gjitha aktet e kompetencave udhëheqëse duhet të nënshkruhen nga zëvendësi plotësues, përkatësisht zyrtari udhëheqës-plotësues. Derisa akti nënshkruhet vetëm nga një person, konsiderohet se i njëjti nuk ka fuqi juridike dhe nuk mund të ekzekutohet”, thuhet në Ligji për Qeverinë, Neni 44.

“Secili akt i bazuar në këtë ligj i dorëzohet ministrit dhe zëvendësministrit plotësues. Ministri dhe zëvendësministri plotësues janë të obliguar që menjëherë dhe në afat më së voni prej një dite të miratojnë ose hedhin poshtë aktin e bazuar në ketë ligj”, thuhet në Ligji për Qeverinë, Neni 46.

Talat Xhaferi në cilësinë e mandatarit i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024