Kuvendi komunal i Prizrenit ka mbajtur seancë solemne në shënim të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kuvendarët në qytetin historik të Kosovës potencuan se pavarësia është një ëndërr shekullore që u bë realitet më 17 shkurt 2008, me shumë mund dhe sakrifica. Ndërkaq, të njëjtit i dhanë titullin qytetar nderi i Prizrenit, kryetarit të Bashkësisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se pavarësia e Kosovës është një vlerë, por duhet punë, angazhim dhe lidership për të forcuar atë.
Kurse, kryetarja e Kuvendit komunal, Antigona Bytyqi, tha se ideali i shumë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve për të çliruar Kosovën tashmë është bërë realitet.
“Ideali i shumë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve për të çliruar tashmë është bërë realitet. Jeta dhe vepra e tyre duhet të na shërbejë si motiv për t’i përmbushur obligimet tona ligjore dhe kombëtare për vendin tonë të shtrenjtë Kosovën”, tha ajo.
“Kjo nuk është një rastësi. Kjo nuk është një dhuratë që dikush e vuri te dera e Kosovës, është diçka që është fituar me shumë mund, sakrificë dhe gjak. Më kujtohen ditët e para ku nga kampet në Peshkopi, fill pas luftës u transferuam në Kosovë. Prizreni mbante erë shkrumë dhe hi të shtëpive të djegura. Sot janë ditët më të mira të Shqipërisë dhe Kosovës. Unë e di që nuk jemi prefekt, unë e di që e kemi pak sport kombëtar me kritiku dhe gjetë qime te syri në secilin prej nesh, ama sot janë ditët më të mira”, theksoi ai./KosovaPress/