Ndihmës drejtori i Policisë së Serbisë Dragan Vasileviq tha sot se identiteti i autorit të vrasjes së policit Nikolla Krsmanoviq në afërsi të Loznicës ende “me siguri nuk është konfirmuar”, edhe pse në vendin e sulmit janë gjetur një pasaportë e Kosovës dhe një letërnjoftim gjerman në emër të Artan Hajzirit.
Vasileviq tha për RTS, se MPB e Serbisë po bashkëpunon me policinë e Republikës Serbe në kërkimin e të dyshuarit dhe se ata kanë krijuar bashkëpunim me policinë e BeH dhe Kroacisë, si dhe me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Vasileviq tha gjithashtu se polici i plagosur ka qëlluar disa herë ndaj sulmuesit, por policia nuk e di nëse ai është goditur ose jo.
Polici i plagosur serb ndodhet në repartin e kirurgjisë në Loznicë dhe është jashtë rrezikut për jetë, sipas mediave serbe.