Varshavë, Bislimi flet për sulmet e vazhdueshme hibride me të cilat është përballur Kosova
Lajme
Lexohet për: 2 min.
18.2.2025 ZvKM (2)
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Me ftesë nga ministri për Bashkimin Evropian të Polonisë, Adam Szapka, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin informal ministerial të organizuar nga Presidenca e Polonisë e Këshillit të BE-së, ku temë diskutimi ishte “Kërcënimet hibride ndaj procesit të zgjerimit dhe kundërpërgjigja potenciale ndaj tyre”.

Prezent në këtë takim ishin ministra për çështje evropiane nga rajoni dhe Evropa, përfshirë shtetet anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim, krahas edhe Komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

Në hyrje të ngjarjes, ministri Adam Szłapka, shprehu se procesi i zgjerimi të BE-së është prioritet edhe për presidencën aktuale të Polonisë dhe është e rëndësishme ndarja e eksperiencave dhe përballje e përbashkët në ballafaqimin me kërcënimet hibride, gjersa komisionerja Marta Kos theksoi investimet dhe përkrahjen e BE-së në këtë drejtim dhe mbështetjen ndaj procesit të zgjerimit përkundër këtij kërcënimi.

“Në adresimin e tij, Bislimi theksoi sulmet e vazhdueshme hibride me të cilat edhe Kosova është përballur dhe arsyet pse vendi ynë është target i sulmeve të huaja e ndërhyrjeve nga jashtë. Ai foli edhe mbi sulmet e vazhdueshme ndaj shtetit tonë dhe sigurisë kombëtare, i fundit ai në infrastrukturë kritike, në kanalin e Ibër-Lepencit nëntorin e vitit të kaluar”, citohet Bislimi në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në njoftim thuhet po ashtu se zëvendëskryeministri përmendi dhe sulmet në faqen e internetit të KQZ-së në zgjedhjet e fundit në vendin tonë, por edhe shpërndarjet e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, veçanërisht përgjatë fushatës së zhvilluar, një rast prej tyre lajmi i rremë mbi rritjen e çmimit të energjisë për 35% vetëm pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Zëvendëskryeministri shprehu nevojën për sa më shumë unitet në Evropë dhe qasje të përbashkët në përballjen me sfidat që vijnë nga kërcënimet e sulmet hibride.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025