Mesfushori uruguaian i Real Madrid, Federico Valverde, ishte protagonisti absolut në ndeshjen e parë të raundit të 1/8-ës së finales në Ligës së Kampionwve duke udhëhequr skuadrën madrilene drejt një fitoreje bindëse ndaj Manchester Cityt.
Valverde realizoi një tregolësh të shkëlqyer dhe ishte lojtari më i mirë në fushë, duke e lënë Realin shumë pranë kualifikimit për në çerekfinale para ndeshjes së kthimit në Etihad.
Skuadra madrilene dominoi pjesën më të madhe të takimit, edhe pse në fillim të ndeshjes rrezikoi nga sulmet e shpejta të Jérémy Doku. Valverde zbuloi se ekipi ishte përgatitur mirë për presionin e kundërshtarit dhe se kjo u reflektua në lojën e tyre. “Kishim ushtruar shumë mënyrën se si ata bëjnë presion me goditjet e portës. Kishte hapësirë dhe ne ishim të shpejtë, kështu që funksionoi mirë”, u shpreh ai, duke theksuar se trajneri kërkon që ai të sulmojë më shpesh nga thellësia dhe të hyjë në zonë.
Mesfushori theksoi gjithashtu rëndësinë e unitetit në skuadër, duke e cilësuar këtë fitore si një shtysë të madhe morale për ekipin. “Duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin si vëllezër dhe të mbështesim njëri-tjetrin. Mund ta shihni që grupi është i bashkuar dhe kështu mund të luftojmë për gjëra të mëdha”, tha ai, duke paralajmëruar se ndeshja e kthimit në Mançester do të jetë shumë e vështirë dhe se skuadra duhet ta trajtojë atë sikur rezultati të ishte ende 0-0.