Vaksinimi kundër gripit sezonal po zhvillohet normalisht
Lexohet për: 2 min.
Vaksimini-061024
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Këtë vit në Kosovë 17 ditë më herët ka nisur vaksinimi kundër gripit sezonal.  Qytetarët po i përgjigjen thirrjes së institucioneve shëndetësore për t’u imunizuar kundër gripit. Për këtë proces Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës.

Tash e 10 vjet vaksinën kundër gripit sezonal e merr vazhdimisht pensionisti Ismet Mustafa. Ai për KosovaPress thotë se kjo vaksinë e ndihmon ta ketë një dimër më të shëndetshëm. Madje Mustafa apelon edhe te të tjerët që ta marrin vaksinën kundër gripit sezonal.

Thirrje për marrjen e vaksinave kundër gripit sezonal ka bërë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Sipas Vitisë edhe këtë vit në afat rekord janë siguruar këto vaksina për qytetarët e rrezikuar.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bëjnë të ditur se procesi i vaksinimit po vijon normalisht. Faik Hoti nga IKSHP thotë se të gjitha komunat janë furnizuar me dozat e nevojshme të  vaksinave kundër gripit sezonal.

Doktor Faik Hoti thotë se mbrojtja më e mirë kundër gripit sezonal është vaksinimi.

Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal po shkon mjaft mirë edhe në Prishtinë.

Specialisti i Mjekësisë Familjare pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Naim Sveçla thotë se në dispozicion si kryeqytet kanë 11 mijë doza vaksinimi.

Ai thotë se krahas kategorive të parapara për vaksinim këtë vit, ka interesim për imunizim karshi gripit sezonal edhe nga profesionistët shëndetësorë.

Sveçla theksoi po ashtu se deri tani i kanë imunizuar 400 persona dhe vaksinimi në Prishtinë po zhvillohet në 15 qendra të vaksinimit.

Kategoritë si personat me sëmundje kronike nën moshën 65-vjeç, punëtorët shëndetësorë, gratë shtatzëna, fëmijët nga 6 muaj deri në 5-vjeç me indikacione shëndetësore janë disa prej kategorive më me përparësi për t’u vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025