Njohësi i sigurisë Avni Islami ka komentuar zhvillimet e fundit në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, ku janë vërejtur prania e forcave ushtarake serbe e të cilët kanë ikur menjëherë pasi kanë hetuar se po xhirohen nga forcat e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar mbrëmë fotografi ku shihen ushtarët serbë me automjete ushtarake vetëm 50 metra në afërsi të kufirit me Kosovën.
Islami për KosovaPress thotë se Kosova duhet të ketë kujdes dhe të vazhdojë t’i përcjellë lëvizjet e Ushtrisë së Serbisë pavarësisht se ato në vazhdimësi thirren në vijën kufitare ku ende nuk është bërë demarkimi i kufirit, duke shtuar se, të njëjtit këtë arsyetim e gjejnë edhe para bashkësisë ndërkombëtare.
Islami gjithashtu shpreh optimizëm për rolin e institucioneve të sigurisë të Kosovës, duke theksuar se ato në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, janë në gjendje të monitorojnë lëvizjet e Ushtrisë së Serbisë.
Islami nënvizon se provokimet e tilla të ushtrisë së Serbisë njëherësh përbëjnë provokim jo vetëm ndaj Kosovës si shtet, por edhe ndaj pranisë së misionit paqeruajtës KFOR.
Ndryshe, kryeministri Kurti veprimin e forcave ushtarake serbe e ka quajtur provokim të Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit.