Gjendja e Urës së Gjakut në Mitrovicë, që lidh lagjen “Vaganicë” me Stacionin e Autobusëve, ka nevojë për intervenime, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ka bërë të ditur se së shpejti do të vendoset nëse do të rehabilitohet apo do të ndërtohet urë e re.
Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ministria ka theksuar se gjendja e sigurisë së urës aktualisht vlerësohet stabile, ndonëse janë evidentuar disa dëmtime.
Tutje, ministria ka bërë të ditur se stafi teknik i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, së bashku me kompaninë projektuese dhe menaxherin e Rajonit të Mitrovicës, kanë vizituar urën, ndërsa në ditët në vijim pritet të përgatitet një raport fillestar i detajuar për gjendjen e saj.
Sipas ministrisë, pas këtij vlerësimi do të jepen rekomandime nëse ura ekzistuese duhet të rehabilitohet apo nëse do të ndërtohet një urë e re.Në përfundim, ministria ka njoftuar se deri në hartimin e projektit për rehabilitimin e urës ekzistuese apo ndërtimin e një ure të re, do të ndërhyjë në kuadër të kontratës së mirëmbajtjes së rrugëve nacionale dhe rajonale për Rajonin e Mitrovicës.
Ndërkohë, qytetarët që e shfrytëzojnë këtë urë çdo ditë kanë shprehur shqetësime për gjendjen e saj, duke thënë se objekti është lënë pas dore prej vitesh dhe paraqet rrezik, veçanërisht për fëmijët.
“Ju njoftojmë se Komuna e Mitrovicës nuk është kompetente për trajtimin e urave në këtë segment, pasi përgjegjësia bie nën Ministrinë e Infrastrukturës. Megjithatë, këtë çështje e kemi adresuar edhe më herët tek institucionet përkatëse dhe do ta riadresojmë sërish, me qëllim që të ndërmerren veprime sa më të shpejta”, thuhet në përgjigjen me shkrim.