Publicisti Ndue Ukaj, sot ka deklaruar se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka ndjeshmëri për nxënësit, pasi sipas tij, ata janë të detyruar të shkojnë në shkollë, kur pushojnë të gjithë fëmijët e Evropës.
“Ministria e Arsimit përmes një vendim të poshtër, absurd, ka bërë që fëmijët tanë - ndoshta të vetmit në Europë, me gjasë duke kopjuar një model boshnjak - të mbajnë mësim edhe pas festave të Krishtlindjes, në këto ditë kur krejt Europa pushon, sepse është kohë pushimesh. Dhe kështu ishte në Kosovë deri para pak vjetësh. E tash arsimi në Kosovë bëhet sikur punon. E them bëhet, sepse në të vërtetë, ky është një vetëmashtrim i madh. Mashtrojnë të gjithë.”, ka shkruar Ukaj.
“Jam fort i bindur se Ministria e Arsimit këtë vendim nuk e ka marrë duke u bazuar te ndonjë analizë, as e nxitur nga nevojë për të mësuar më shumë apo për të përmirësuar cilësinë në shkolla. Është vendim i poshtër, hakmarrës dhe antikulturor. Ne, në të gjitha pikëpamjet, kur bëher fjalë për arsimin, jemi më së keqi në Europë. Ky vendim, si i tillë lidhet me dofarë ide të marra e dokrra që tufa e shkretanëve të politikës nuk di as t’i gjykojë e as t' i arsyetojë.”, ka shkruar ai në Facebook.
Publicisti Ukaj ka shtuar se mësimi ndërmjet festave s’është mësim, por sipas tij, mashtrim.
Kujtojmë që, MASHTI muaj më parë kishte njoftuar se gjysmëvjetori i parë për të gjitha nivelet e arsimit para-universitar do të përfundojë më datë 27.01.2023, ndërsa pushimi dimëror për të gjitha nivelet e arsimit para-universitar do të fillojë 30.01.2023 dhe do të mbarojë më 03.02.2023. Gjysmëvjetori i dytë do të fillojë më 06.02.2023.