Turistët kërkojnë cilësi, rritet numri i pushuesve në Shqipëri
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Mbi 1 milion turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë tre muajve të parë të vitit.

Numrin e lartë të tyre e dëshmojnë rrugët e mbushura me shtetas të huaj në kryeqytet dhe bregdet.

“Vijmë nga Shtetet e Bashkuara. Tirana është mahnitëse”– shprehet një turist amerikan.

“Nuk dinim më parë për Tiranën. Vendosëm të bëjmë një udhëtim në Ballkan dhe thamë pse jo. Do të shohim dhe Shkodrën e Thethin“- thotë turistja spanjolle.

“Transporti këtu është më i thjeshtë se në Spanjë. Këtu hipën në autobus dhe paguan kur ditësh të kërkon pagesën”.

“Na pëlqejnë njerëzit këtu, ushqimi, natyra… çmimet janë shumë të lira krahasuar ne Evropën dhe Meksikën”- thotë turistja meksikane.

Vizitorët e huaj shprehin përshtypjet për mikpritjen dhe panoramën e bukur që kanë gjetur në Shqipëri.

“Njerëzit këtu janë shumë të mirë me turistët. Kjo ishte shtysa kryesore që na bindi të vinim”.

“Kam qenë në Tiranë para 15 vitesh. Shoh një qytet komplet tjetër që po e eksplorojmë së bashku”.

“Më pëlqen shumë atmosfera që gjetëm në Tiranë, na tërhoqi sa erdhëm”.

“Jemi të shokuar nga Tirana! Shumë vend i këndshëm, na pëlqejnë baret, restorantet”.

Por, gjatë bisedave, turistë nga Evropa dhe Amerika Latine, tregojnë rezervat për sektorin e shërbimit që po përballet me fluks në një kohë që vetë janë mungesë stafi.

Shqipëria u ofron pushime me kosto të ulët, por jashtë kamerave turistët thonë se do të donin shërbim më të shpejtë në hotelet ku qëndrojnë dhe restorantet që frekuentojnë. Problematikën e konfirmojnë operatorët turistikë, të cilët kanë bosh 100 mijë vende pune. Ende pa ardhur maji, 80% e vendeve akomoduese janë prenotuar dhe operatorët kanë marrë punëtorë nga Azia për të cilët paguajnë më shume por marrin shërbim me te mire. Ndërsa fluksi më i madh i turistëve ende nuk ka mbërritur, operatorët turistikë janë në garë me kohën për të gjetur punëtorët./TCh/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024