Kosova është vend me bukuri të rralla natyrore, dhe historike. Një ndër qytetet më të rëndësishme që po bëhet vend tërheqës për t’u vizituar nga turistët, është edhe Prizreni me histori dhe bukuri natyrore.
Lidhja e Prizrenit, Kalaja, Lumëbardhi, objektet e kultit dhe Prevalla, po e bëjnë këtë qytet të vjetër një prej destinacioneve më të preferuara në Kosovë.
Alberto Nicolau nga Spanja i cili kishte ardhur me partneren e tij për ta vizituar këto ditë Prizrenin, është shprehur për KosovaPress se ajo çka po e bënë të veçantë këtë qytet, është Kalaja e Prizrenit dhe objektet fetare. Ai tha se Prizreni ka vende dhe objekte të bukura që është e nevojshme të promovohet edhe më shumë për turistët e huaj.
Ndërsa, partneres së Albertos, Roser Nicolau, pamja përreth qytetit me pyje dhe ambienti i pastër, iu duken interesante. Përveç kësaj, ajo tha se në qytetin e bukur në Prizren po ndihet edhe mjaft e sigurt.E Uetuuru Kambato nga Afrika, një sportist i cili luan në Klubin e futbollit “Liria”, thekson se tërheqës për të është Shatërvani. Kambato, ka shprehur interesin edhe të jetojë në Prizren.
Për turizmin në këtë qytet folën edhe nga Shoqata e Turizmit dhe nga Drejtoria e Turizmit në Komunën e Prizrenit. Ramadan Tarashaj nga kjo drejtori thotë se numri më i madh i turistëve është nga Shqipëria dhe vendet tjera. Sipas tij, institucionet përkatëse në Kosovë duhet ta promovojnë sa më shumë turizmin, pasi që sipas tij, Prizreni dhe vendet tjera kanë potencial për këtë sektor.