Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sportit në Republikën e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, federatat sportive dhe akterët tjerë institucional e sportivë, po organizon sot dhe nesër “Tryezën e Sportit”, i cili është një takim diskutimi ku po marrin pjesë niveli më i lartë i komunitetit të sportit në vendin tonë dhe po mbahet në Brezovicë.
Sipas një komunikate të ministrisë, po synohet që bashkërisht të gjithë akterët e sportit të krijojnë një platformë të përbashkët profesionale ku pritet të ndahen informacionet, përvojat, sfidat, idetë e reja dhe zhvillimi i mëtejmë në sportin e Kosovës.
Në hapje të tryezës, ministri Çeku, tha se ky është takimi i parë i përbashkët që po mbahet në këtë format përfaqësimi të gjithë akterëve të përfshirë në sport, si një pikënisje për të diskutuar për gjendjen aktuale në këtë fushë, ndërsa shtoi që këto diskutime do të shërbejnë për të ndërtuar vizionin për të ardhmen e sportit në vendin tonë.
Ministri theksoi se kjo tryezë e diskutimit është fillimi i krijimit të një platforme zyrtare dhe profesionale të diskutimeve tona të përbashkëta. Ky lloj i tryezës do të zhvillohet minimalisht dy herë gjatë vitit.
Nga këto tema, të nxirren konluza dhe rekomandime që të jenë një orientim për një mobilizim të gjithëmbarshëm të gjithë akterëve të sportit, tha ministri. Çfarëdo strategjie që do të ndërtojmë për sportin, mos të shihet si një strategji e ministrisë për sportin por një strategji e sportit e shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se për dy ditë radhazi do të kemi mundësinë që bashkërisht të diskutojmë për sfidat me të cilat përballet sporti ynë.
Ndërsa në fjalën e tij, dekani Musa Selimi, tha se tryeza e këtillë është shumë e mirëpritur sepse po ndodh për herë të parë ku mblidhen të gjithë akterët e sportit për të diskutuar për këtë fushë.
“Duhet ta rrisim fondin e numrit të orëve të edukatës fizike në shkolla sepse me vetëm dy orë në javë, ne jemi të vetmit në Ballkan dhe Bashkimin Evropian që kemi kaq pak orë”, ka thënë mes tjerash Selimi.
Klodeta Krasniqi, shefe e kabinetit të ministrit, prezantoi të gjeturat për gjendjen momentale në sportin e Kosovës, ku përfshihet infrastruktura momentale ligjore, forma e mbështetjes së aktiviteteve sportive, investimet në infrastrukturën fizike të sportit dhe menaxhimi i infrastrukturës sportive në Kosovë.
Ndërsa Masar Gjaka prezantoi projektin e Bazës së të Dhënave për sportin në Kosovë.