Trupi gjykues në çështjen kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është shprehur i shqetësuar me ritmin e këtij procesi gjyqësor. Përmes një urdhri, kryegjykatësi Charles Smith ka kërkuar nga palët që të shkurtojnë kohën për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.
Në fillim të seancës, Smith ka thënë se prokuroria duhet të rishikojë pyetjet në mënyrë që ndaj të akuzuarve të zhvillohet një proces gjyqësor me kohë të arsyeshme.
Gjithashtu, trupi gjykues ka thënë se prokuroria nuk ka pse t’i pyes dëshmitarët për gjëra që tashmë janë të ditura në deklaratat që ata i kanë dhënë.
Përveç kësaj, trupi gjykues ka lëshuar edhe dy urdhra të tjerë para se në gjykatore të dalë dëshmitari i dhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.