Super finalja e ProCredit Kupës së Kosovës në basketboll ka vënë përballë Trepçën dhe Bashkimin. Përballja pritet të jetë me spektakël, duke marrë parasysh rivalitetin mes skuadrave, por edhe formën e treguar në këtë edicion.
Ky trofe është shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat, që synimin e vetëm e kanë fitoren.
Në pesë takimet e fundit direkte mes tyre, mitrovicasit kanë tri fitore derisa prizrenasit dy, përcjellë KosovaPress.
Sa i përket garave në ProCredit Superligë, të dy skuadrat kanë nga 14 fitore e gjashtë humbje.Bashkimi në çerekfinale eliminoi Borën, derisa në gjysmëfinale Vëllaznimin. Në ndeshjen e parë pësuan nga kuqezinjtë, derisa në përballjen e dytë arritën rikthimin për të siguruar finalen.
Biletat për ndeshjen finale të ProCredit Kupës do të shiten për klubet finaliste, Trepçës dhe Bashkimit. Gjithsej do të ndahen nga 750 bileta për Klubin e Trepçës dhe 750 për Bashkimin. Biletat e thjeshta kushtojnë 5 Euro, kurse ato VIP nën kosh kushtojnë 15 Euro, që janë në sasi më të vogël dhe po ashtu janë në menaxhim të klubeve finaliste.