Tregtia, transporti dhe logjistika efiçiente, parakushte për nxitjen e rritjes ekonomike
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Përmirësimi i lidhshmërisë së transportit dhe lëvizshmëria më e madhe nxisin lidhjen dhe inkurajojnë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Evropian, promovojnë perspektivat ekonomike dhe kanë ndikim pozitiv në standardin e jetesës në rajon, shpalli Samiti për Lidhshmërinë i mbajtur në Budvë më 15 dhe 16 maj, organizuar nga CEFTA dhe Komuniteti i Transportit. 

Samiti bashkoi ministra të transportit, drejtorë të autoriteteve doganore dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve fqinje anëtare të BE-së, si dhe vëzhgues në Komunitetin e Transportit (Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia). Pjesëmarrësit reflektuan mbi projektet e realizuara deri më tani dhe shkëmbyen mendime për dinamikat dhe horizontet e mëtejshme të bashkëpunimit, me qëllim të lidhjes më të mirë mes shteteve të rajonit në drejtim të transportit, sigurisë dhe lidhshmërisë infrastrukturore për të mirën e të gjithë banorëve të rajonit. 

Drejtori i CEFTA-s Emir Gjikiq tha se Samiti ofron një shans për të shqyrtuar përfshirjen e ardhshme të organizatës në këtë fushë. Sipas Gjikiq, eliminimi i tarifave doganore është një hap i mirë fillestar në këtë drejtim, por duhet bërë më shumë për t’i bërë bizneset lokale konkurruese në tregun rajonal dhe më të gjerë evropian.

Në komunikatë thuhet se Gjikiq ka veçuar se rëndësia e ruajtjes dhe zgjerimit të Korsive të Gjelbra të krijuara gjatë pandemisë, si dhe sjellja e tyre më pranë kufirit evropian.

“Ai vuri në dukje se meqë Bashkimi Evropian merr 70% të eksporteve të CEFTA-s, kjo do të thotë se kamionët mund të lëvizin më shpejt si në kufijtë e brendshëm të rajonit ashtu edhe në kufijtë e BE-së. Ai theksoi rëndësinë e kësaj çështje për të gjithë anëtarët e CEFTA-s”, thuhet në njoftim.   

Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu ka thënë se projektet infrastrukturore ndihmojnë në garantimin e lidhjes së drejtpërdrejtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe ofrojnë përfitime të shumëfishta për vendet e rajonit. Disa nga avantazhet, sipas tij, përfshijnë uljen e kostove të transportit dhe hapjen e rrugëve të reja për qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave, dhe të dyja këto kontribuojnë në lulëzimin ekonomik.

Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, theksoi rëndësinë e sistemit për shkëmbim elektronik të të dhënave (SEED), veçanërisht versionin e përmirësuar të këtij sistemi, zbatimi i të cilit do të krijojë mundësinë për lidhje shtesë mes institucioneve kompetente të sistemit, shkëmbim të informacionit në kohë reale në mënyrë elektronike dhe komunikim më të mirë në vend dhe rajon.

Samiti për Lidhshmërinë 2023 miratoi edhe Deklaratën e Përbashkët CEFTA-TCT “Avancimi i Korsive të Gjelbra”, për lehtësim të mëtejshëm të transportit dhe tregtisë me synimin për të reduktuar kohën e pritjes dhe për të përmirësuar efiçiencën e zinxhirëve logjistikë dhe të vlerës në BE. 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024