Tre gjyqtarë bllokohen në lift, Rrustemi: Po na rrezikohet jeta
Lajme
Lexohet për: 3 min.
ashensori
2 orë më parë
Linku u kopjua

Që nga inaugurimi i objektit të Pallatit të Drejtësisë, probleme të shumta ende po i përcjellin disa nga institucione e drejtësisë. Sidomos në tre muajt e fundit gjyqtarë e zyrtarët tjerë që punojnë në këto hapësira po rrezikohen nga përdorimi i ashensorëve për shkak të mos funksionimit si duhet të tyre.

Rasti i fundit ka ndodhur sot (e mërkurë) rreth orës 10:00, ku në Gjykatën Supreme në Prishtinë tre gjyqtarë dhe zyrtarë administrativ mbetën të bllokuar në ashensor për 40 minuta.

Si pasojë gjyqtarëve dhe zyrtarëve iu është dashur që të marrin edhe trajtim mjekësor.  

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi për KosovaPress thotë se shqetësimet me ashensor janë të përditshme për këta zyrtarë.

Rrustemi thotë sidomos nw 3 muajt e fundit janë shtuar tronditjet dhe lëvizjet e pakontrolluara të ashensorëve në Pallatin e Drejtësisë.

Rrustemi tha se punonjësve në këto hapësira po iu rrezikohet jeta vazhdimisht nëse i përdorin ashensorët. Ai tha se ka kërkuar që të sanohen këto probleme.  

Krahas telasheve me ashensor, gjyqtarët dhe zyrtarët tjerë në Pallatin e Drejtësisë në këto ditë të ftohta dimri po kanë telashe edhe me mungesën e ngrohjes.

Për bllokimin e gjyqtarëve dhe zyrtarëve në ashensor që ndodhi sot kanë treguar edhe nga Gjykata Supreme.

Nga kjo gjykatë thonë se tash e një vit po punohet në kushte të pasigurta punë “si pasojë e ashensorëve të cilët bllokohen dhe lëvizin në mënyrë të pakontrolluar, e të cilët janë nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme”.

Madje, thuhet se rasti i sotëm shton nevojën që kjo çështje të mos neglizhohet më tutje, por të trajtohet me seriozitet dhe institucionet kompetente ta marrin seriozisht situatën dhe të krijojnë kushtet e punës duke siguruar se jeta e gjyqtarëve dhe stafit të Gjykatës është e sigurt.

Për ndërtimin e Pallati të Drejtësisë u shpenzuan rreth 30 milionë euro ,  investim ky i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës.

Ndër vite ky objekt ka pas telashe edhe me klimatizim në mungesë të dritare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025