Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama prezantoi sot projektin për transformimin e sheshit “Xhorxh Bush” dhe ndërlidhjen e tij me hapësirat e tjera publike.
Rama tha se ideja e këtij investimi nuk është vetëm një dizajn linear, por që sheshet të jenë sa më të qasshme dhe të sigurta për secilën moshë.
Rama potencoi se në kuadër të punimeve do të hiqen elementet e asfaltit që nuk janë ambientale, derisa shtoi se do të transformohen me elemente të gjelbërta.
Ai po ashtu theksoi se do të duhen deri në tetë vjet, në mënyrë që ky proces të realizohet.
I pari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se planifikojnë që të heqin muret të cilat e rrethojnë Katedralen “Nënë Tereza”, në mënyrë që mos të shihet si cenim i lëvizjes së lirë dhe të jetë e hapur për të gjithë qytetarët.
Përveç kësaj, Rama shtoi se janë duke punuar në ndërtimin e “Rrugës A” dhe depërtimin në Veternik, që e lidhë Prishtinën e Re me Kalabrinë.
Ai tha se përveç procesit të ndërtimit të pesë shkollave tani, planifikohet që të ndërtohen edhe pesë të tjera.
Në fund, Rama tha se ky projekt do t’u prezantohet edhe qytetarëve në mënyrë që të kuptojnë qëllimin dhe secilin detaj rreth punimeve./Z. Zeneli