Trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës në volejboll është sllovak
Lexohet për: 2 min.
1-Trajneri
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) ka njoftuar se ka arritur sot marrëveshje për ta emëruar trajnerin sllovak, Martin Nemec në krye të Kombëtares së Kosovës në volejboll.

Martin Nemec është një emër i njohur në botën e volejbollit. Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si lojtar dhe trajner, Nemec sjell me vete një përvojë të gjerë ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

Nemec shprehu entuziazmin e tij për sfidën e re duke thënë se është i nderuar dhe i emocionuar që është trajneri i ri i volejbollistëve të Kosovës.

"Jam i nderuar dhe i emocionuar që jam emëruar përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës në volejboll. E shoh një potencial të madh në këtë ekip dhe jam i përkushtuar që të punoj fort për të arritur sukseset që meriton ky vend", tha Nemec.

39 vjeçari Martin Nemec është një trajner dhe ish-lojtar profesionist i volejbollit me një karrierë të spikatur në arenën ndërkombëtare me Kombëtaren e Sllovakisë. Gjatë karrierës së tij si lojtar, ai ka luajtur në pozicionin e sulmuesit dhe ka përfaqësuar ekipe të njohura në ligat kryesore të Evropës, përfshirë Poloninë, Italinë dhe Turqinë. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Nemec u përkushtua trajnimit, duke sjellë një qasje të re dhe dinamike në ekipet që ai ka drejtuar.

Nemec është njohur për metodologjinë e tij të avancuar të stërvitjes dhe përkushtimin ndaj zhvillimit të lojtarëve të rinj. Përvoja e tij ndërkombëtare dhe suksesi në trajnimin e ekipeve elitare e bëjnë atë një zgjedhje të shkëlqyer për të udhëhequr Kombëtaren e Kosovës drejt arritjeve të reja.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025