Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Itali, ku katër anëtarë të së njëjtës familje shqiptare kanë humbur jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre në zonën e Luccës.
Sipas mediave italiane, viktimat janë një çift bashkëshortësh dhe dy fëmijët e tyre, përkatësisht 48, 43, 22 dhe 15 vjeç, të gjithë me origjinë shqiptare.
Një i afërm i familjes, vëllai i kryefamiljarit, ka shkuar në banesë pasi nuk merrte përgjigje në telefon.
Ai ka njoftuar autoritetet, të cilat pasi kanë hyrë në shtëpi kanë gjetur katër trupat pa jetë.
Gjatë ndërhyrjes janë helmuar lehtë edhe dy efektivë të policisë që hynë në banesë për të dhënë ndihmën e parë, por ata janë jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN, transmeton KosovaPress.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në orët e darkës, pasi në banesë u gjet tavolina e shtruar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkakun e tragjedisë.