Policia në Shqipëri ka goditur një grup të strukturuar kriminal që trafikonte njerëz. Në këtë aktivitet të paligjshëm, sipas autoriteteve shqiptare, ishin përfshirë 26 persona, mes të cilëve biznesmenë, por edhe punonjës të policisë. Drejtori i përgjithshëm i policisë, Muhamet Rrumbullaku, tha se gjatë vitit 2023 është shënuar rritje e numrit të shtetasve të pajisur me leje qëndrimi dhe leje pune, të kapur në tentativë për t’u larguar drejt vendeve të tjera në Bashkimin Evropian, qoftë në veri të vendit, por edhe në kufirin jugor me Greqinë.
Sipas policisë shqiptare janë identifikuar të paktën pesë subjekte tregtare të cilët siguronin kontrata fiktive pune për këta shtetas, që kryesisht ishin nga Bangladeshi. Më pas, ky grup vijonte me procesin e aplikimit për vizë, e deri në pritjen e këtyre personave në aeroportin e Rinasit, kundrejt një pagese prej 5.000 eurosh për person. Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata ka vendosur që të caktojë masën e sigurimit personal për 26 personat e përfshirë në këtë grup. Ndërkaq, policia ka arrestuar 19 prej tyre, tre të tjerë janë dërguar në arrest shtëpiak, dy janë të detyruar të paraqiten para autoriteteve si dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme janë 11 biznesmenë dhe katër punonjës policie.