Skuadra e Tiranës në futboll ka pësuar sonte humbje si vendës nga Zrinjski i Mostarit me rezultat 0:1, në duelin e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës.
Bardh-e-blutë kanë gjetur përballë kampionen e Bosnjë-Hercegovinës dhe takimi i parë në stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, ka parë miqtë të bëjnë një lojë më të mirë në pjesën e parë, duke u shpërblyer me një 11-metërsh të fituar në minutën e 12-të dhe të shndërruar në gol nga Nemanja Bilbija.Me një përpjekje të bardh-e-bluve, por ku harkimi i Ismail Gecit gjen më parë portierin mik sesa Seferin dhe Hasanin, do të mbyllen 45 minutat e para.
Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë, madje është luajtur nën nivelin mesatar, me Tiranën gjithnjë e më të paqartë, më të pafuqishme dhe, me kalimin e kohës, edhe gjithnjë e më të lodhur fizikisht përballë boshnjakëve të kënaqur me administrimin e epërsisë, edhe pse minimale, të cilën mund edhe ta kishin thelluar në fundin e minutave shtesë, por Bekaj shpëton bardh-e-blutë, që sidoqoftë kanë një mision të vështirë përmbysjeje në ndeshjen e kthimit./RTSH