Tirana mbyll vitin si “Qytet i Rinisë” e për vitin 2023 është përzgjedhur si Qyteti Evropian i Sportit
Lexohet për: 2 min.
veliaj
2 vite më parë
Linku u kopjua

Pas më shumë se 1 mijë aktivitetesh, Tirana përmbyll sot në ditën e rinisë, vitin si Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumtë delegacionet evropiane që kanë vizituar kryeqytetin shqiptar dhe të rinjtë kanë pasur mundësi të shkëmbejnë eksperienca dhe të tregojnë potencialin e tyre.

“U financuan mbi 360 projekte dhe u zhvilluan më tepër se 1 mijë aktivitet nga 8 fusha të ndryshme, si inovacioni, pjesëmarrja, kultura, shëndeti fizik dhe mendor etj. Thelbi  këtij viti ka qene energjia dhe impulsi i të rinjve”, thotë Dafina Peci.

Ceremonia përmbyllëse u zhvillua në pallatin e kongreseve, ku njëjtë si në fillim të këtij viti, u mblodhën me qindra të rinj e të reja. Por këtë herë për ti kaluar stafetën për vitin 2023 qytetit të Lublinit në Poloni.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha Tirana po mbyll një vit të rëndësishëm por ditë më të mira janë përpara.

“Sa shpejt ikën 1000 aktivitete, sa shpejt iku ky vit, por unë besoj gjithmonë se ditët më të mira në Tiranë, me çunat e gocat e mrekullueshëm, i kemi përpara. Ne duhet të punonim fort që të realizonim ëndrrën tonë, që Tirana të ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Ishte ëndërr për ne që një finale e UEFA-s të ndodhte në Tiranë, siç ishte ajo e Conference League. Ishte ëndërr për ne që një ditë të zgjidheshim Qyteti Evropian i Sportit dhe ëndrrat kanë rëndësi sepse vetëm ëndërrimtarët ngrihen nga llumi, ngrihen nga këneta, ngrihen nga moçali, mendojnë gjërat e bukura, që duan të arrijnë, i realizojnë ato dhe kur ia mbërrijnë, janë histori suksesi, siç ishte Tirana jonë”, u shpreh Veliaj.

Po aktivitetet nuk përfundojnë me kaq, pasi për vitin 2023 Tirana është përzgjedhur si Qyteti Evropian i Sportit, ku të rinjtë e jo vetëm do të fokusohen në aktivitetet sportive.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025