Thaçi në Speciale kërkon respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
thaqi-171224
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka folur edhe njëherë në Gjykatën Speciale në Hagë duke kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. ZPS e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë - derisa ai ndodhet në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduara të luftës.

“Dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët, në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha Thaci në konferencën mbi ecurinë e çështjes më 18 dhjetor.

Edhe njëherë, Thaçi tha se ai nuk paraqet rrezik në kuptimin politik e as “për ndonjë projekt qeveritar”.

“Ju e dini para katër vitesh, në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh, nxitimthi, Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president as për kryeministër e as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes, që sjell paraqitjen e dytë të Thaçit në rastin e ri ndaj tij - me akuza për ndërhyrje në dëshmitarë - ai u paraqit përmes videolidhjes nga qendra e paraburgimit në Sheveningen të Hagës.

Më 6 dhjetor, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.

Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.

Kilaj, Kuçi dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm, ndërkaq Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar ende.

Sipas gjykatës, ata kanë afat deri më 7 janar të që bëjnë deklarimin e tyre.

Aktakuza vjen ndërkohë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.

Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm, për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025