Thaçi dhe të tjerët, gjykatësi vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm për kalimin e dosjes te trupi gjykues deri në fund të vitit
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep ka thënë se në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, gjykatësi i procedurës paraprake vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm procedural për kalimin e dosjes gjyqësore të trupi gjykues në fund të këtij viti.

Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, më 29 shtator Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi. Ai konstatoi se ekziston ende rreziku që i akuzuari të arratiset, pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë krime të tjera. Në vendimin e tij, Gjykatësi i Procedurës Paraprake rikujton afatet që i janë vendosur Prokurorisë dhe Mbrojtjes për të avancuar përgatitjet për gjykim dhe vëren se janë përmbushur hapa të rëndësishëm proceduralë për kalimin e dosjes gjyqësore te trupi gjykues brenda fundit të këtij viti. Bazuar në këtë, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se vazhdimi i paraburgimit të z. Thaçi nuk është disproporcional”, tha Griep.

Gjatë informimit javor, ajo ka thënë se më 29 shtator gjykatësi procedurës paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit ndaj Thaçit duke shtuar se gjykatësi “ka konstatuar se ende ekziston rreziku që i akuzuari të arratiset, të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë krime”.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se më 7 tetor Zyra Administrative ka njoftuar se Ministria e Drejtësisë në Kosovë është pajtuar me propozimin për caktimin e një pike kontakti për marrjen e kërkesave të ekipeve të mbrojtjes, për informacion apo ndihmë. Griep ka thënë se Ministria e Drejtësisë i ka dërguar të dhënat e personave për kontakt.

Ndërsa lidhur me çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, zëdhënësja e DhSK-së tha se Paneli i Apelit ka nxjerrë vendim lidhur me kërkesat e ekipeve të mbrojtjes ku pretendojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka dorëzuar përgjigje ndaj apelit të tyre në përputhje me Rregulloren.

Ajo tha se Paneli i Apelit nuk u pajtua me këtë pretendim dhe e rrëzoi atë.

Griep ndër të tjera tha se më 7 tetor Zyra e Administrative e ka njoftuar Panelin e apelit se Hysni Gucati e ka paguar gjobën prej 100 eurosh që ishte vendosur si pjesë e dënimit të tij.

Ndërsa për çështjen Pjetër Shala, ajo tha se Trupi Gjykues ka caktuar datat 18,19 dhe 20 tetor për konferencat përgatitore për gjykim, ndërsa 21 tetorin datë rezervë. /G.Kadrija

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024