Tetë vende, përfshirë Iranin, Sudanin dhe Venezuelën, kanë humbur të drejtën e votës në OKB për shkak të borxhit të tepërt ndaj organizatës, tha sot sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres.
Një total prej 11 shtetesh anëtare janë aktualisht me vonesë në pagesën e kontributeve në përputhje me nenin 19 të Kartës së OKB-së, deklaroi Guterres në një letër drejtuar anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme, përcjell AFP.
“Nëse mos pagesa ka ndodhur "për shkak të rrethanave jashtë kontrollit", shteti mund të ruajë ende të drejtën e tij për të votuar, gjë që është rasti këtë vit për tri vende - Komoret, Sao Tome dhe Principe dhe Somalinë”, tha Guterres.
Përveç Iranit, Sudanit dhe Venezuelës, pesë vende të tjera humbën të drejtat e tyre - Antigua dhe Barbuda, Kongo, Guineja, Papua Guineja e Re dhe Vanuatu.
Irani humbi të drejtën e votës vitin e kaluar për shkak të borxhit. Autoritetet iraniane më pas deklaruan se nuk mund ta paguanin shumën për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj saj nga Shtetet e Bashkuara.
Pas disa muaj negociatash, Iranit iu dha një përjashtim, i cili e lejoi atë të paguante borxhin minimal të kërkuar dhe të rifitonte të drejtat e tij të votës në qershor, pak para zgjedhjes së anëtarëve të ri të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.