Tetë marrëveshje ndërkombëtare janë në rend dite nesër (e enjte) për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës. Nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës deklarojnë se nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe se nuk do t’i votojnë këto marrëveshje.
Të njëjtit nuk do të votojnë nismat nga Qeveria e Kosovës, pasi sipas tyre vendi ka ngecur nga veprimet që po ndërmerr pushteti. Të përmbajtur për këto marrëveshje janë shprehur nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa nga partia në pushtet kërkojnë nga këto parti t’i votojnë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.
Ndërkaq, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili thotë për KosovaPress se kanë pozicion përmbajtjesor kundër marrëveshjes së OPEC-ut.
Ndërsa, nga partia në pushtet bëjnë thirrje opozitës që t’i votojnë këto marrëveshje. Deputeti nga LVV, Driton Hyseni uron që në seancën e radhës të Kuvendit që do të mbahet të enjten të kenë një epilog përfundimtar marrëveshjet ndërkombëtare.
Kujtojmë se, për t’u ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm në seancë.
Këto marrëveshje sipas Ligjit, i dorëzohen Kuvendit me iniciativë të vet ose pas propozimit nga Qeveria./E.Krasniqi