Do të jetë Burkina Faso skuadra e cila do të sjellë Alain Giressen para testit të parë si trajner i Kombëtares së Kosovës kur këto dy skuadra zbresin sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë për të luajtur këtë sfidë që ka karakter miqësor.
Pa shumë ndryshime në listën e lojtarëve të ftuar dhe pa ndonjë ide të zbuluar rreth asaj se si do të jetë skema me të cilën do të luajë Kosova në këtë ndeshje, trajneri francez në konferencën për shtyp para ndeshjes ka deklaruar se rivali i sotëm duhet respektuar, por që kjo sfidë do të shërbejë për të parë nivelin dhe cilësinë që ekziston brenda kombëtares, raporton KosovaPress.
Por, nga ana tjetër, trajneri i Burkina Fasos, Kamao Molu, deklaroi hapur se në ndeshjen me Kosovës do të angazhohen maksimalisht sikur ajo të kishte karakter garues dhe jo miqësor. Ai tha se edhe pse nuk dinë shumë për Kosovën, janë në dijeni se në grupin e “Dardanëve” ka lojtar me kualitet të lartë dhe që luajnë nëpër klube të mëdha anë e mbanë botës.
Janë gjithsejtë 23 futbolliste të grumbulluar për këtë ndeshje nga Alain Giresse, që të gjithë të gatshëm për të luajtur nga minuta e parë, në përjashtim të Arbër Zenelit dhe Emir Sahitit që mungojnë për shkak të lëndimeve, derisa ky i fundit është zëvendësuar nga lojtari i Ballkanit Lumbardh Dellova.