Termokos do të fillojë shpërndarjen e faturave testuese sipas konsumit
Lexohet për: 2 min.
Termokosi-foto_Xhemail Sllovinja (4)
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Ndërmarrja Publike Termokos njofton se për muajin mars do të fillojë kalkulimin dhe shpërndarjen e faturave me matje sipas konsumit për 1.000 konsumatorë.

Këta konsumatorë janë përzgjedhur rastësisht, sipas një mostre reprezentative në ato lagje, ku është i shtrirë rrjeti i ngrohjes, përkatësisht te një pjesë e konsumatorëve, ku tanimë janë instaluar pajisjet matëse. Këta klientë do t’i marrin dy fatura në pliko, një faturë reale të faturimit sipas sipërfaqes ngrohëse dhe një draft faturë krahasuese sipas konsumit.

Me dërgimin e këtyre faturave testuese fillon edhe fushata sensibilizuese e fokusuar në promovimin e kursimit dhe ndryshimit të shprehive për shfrytëzimin e ngrohjes.

Faturat e dizajnuara sipas konsumit, tashmë janë aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Termokos është në proces të vazhdueshëm të testimit të softuerit dhe komponenteve tjera të projektit “Prishtina Heatsave”. Deri më tani 17.500 banesa kanë përfituar nga pajisjet falas në banesat e tyre, përfshi termokokat moderne, që kontrollojnë nivelin e ngrohjes.

Termokos apelon te konsumatorët që në dy javët e ardhshme të kursejnë maksimalisht ngrohjen, në mënyrë që të analizohen dhe krahasohen nivelet e konsumit individual, por edhe kolektiv. Këto 1.000 familje, që do të marrin faturën model do të kenë mundësi t’i analizojnë shpenzimet e veta sipas faturës me metra katrorë dhe asaj sipas konsumit.

Derisa, të dhënat fillestare analitike dëshmojnë se shumica e konsumatorëve kanë filluar të kursejnë, Termokos apelon, që nga sezoni ngrohës 2024/2025 kursimi të jetë shprehi e vazhdueshme.

“Ngrohja në të ardhmen do të kalkulohet sikurse edhe rryma apo uji, me matje. Sa më shumë kursehet, aq më pak paguhet. Draft faturat testuese të konsumit, që do të shpërndahen me faturat e zakonshme të marsit kanë një shirit të kuq dhe nuk janë paraparë të paguhen”, ka bërë të ditur Termokos.

Ndryshe, projekti “Prishtina HeatSave” përgjatë 18 muaj instalimesh ka arritur të përfundojë objektivin e instalimeve të pajisjeve në 17.500 njësi banesore, të financuar nga agjencioni federal amerikan MCC në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës. Tashmë është instaluar edhe softueri i faturimit dhe ka filluar procesi i trajnimit të stafit të Termokosit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025