Telekomi do të kërkojë t’i rikthehen mjetet e përmbaruara pabazë ligjore dhe me detyrim
Lexohet për: 4 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Telekomi i Kosovës sot ka pranuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit me të cilin është aprovuar ankesën e debitorit Telekomi i Kosovës dhe çështjen e ka kthyer në procedim të sërishëm në Gjykatën Themelore.

Sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit, bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se ankesa e Telekomit të Kosovës është e themeltë dhe se Telekomi i Kosovës ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të parregullt dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net dhe Z-Mobile në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A.

“Duke marrë parasysh këto shkelje serioze, lënda është rikthyer sërish në gjykim pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë. Vendimin e Gjykatës së Apelit e shohim si një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së ligjshmërisë në lidhje me kërkesat legjitime të Telekomit të Kosovës Sh.A.. Telekomi i Kosovës Sh.A. i siguron të gjithë se do të shfrytëzojë të gjitha mjetet juridike në dispozicion, me qëllim të sqarimit të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. Vendimi i Apelit është në linjë me konstatimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se kemi të bëjmë me shkelje serioze dhe të rënda kushtetuese në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., në procesin e procedurës përmbarimore, të cilat shkelje përfshijnë Urdhrin Përmbarimor P.nr.491/19, të datës 15.07.2019 të lëshuar nga përmbaruesi privat Ilir Mulhaxha, Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë PPP.nr.1486/19 të datës 06.07.2020, Aktvendimin e Gjykatës së Apelit AC.nr.3610/20, të datës 08.10.2020, dhe gjithashtu Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës [CML.nr.12/20], të 20 janarit 2021. Shkeljet kushtetuese dhe procedurale në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A., të konstatuara nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Kushtetuese, lidhen me përcaktimin e shumës për të cilën është lejuar përmbarimi dhe bazat meritore të kundërshtimeve dhe ankesës së Telekomit të Kosovës Sh.A., e të cilat janë thelbësore për të përcaktuar detyrimet e Telekomit të Kosovës Sh.A. Anulimi i Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, PPP. nr. 1486/19 të datës 06.07.2020 nënkupton që pagesat e deritashme nga ana e Telekomit Sh.A. janë bërë pa bazë ligjore dhe këto pagesa do të ndërpriten deri në një vendim meritor të gjykatës, së bashku me përllogaritjen e saktë dhe korrekte të vlerës, e cila do të përcaktohet në vijim në Gjykatën Themelore. Kjo nënkupton se Telekomi i Kosovës Sh.A. nuk do të jetë i detyruar të bëjë pagesa deri në një vendim përfundimtar dhe të plotfuqishëm, që përcakton qartë detyrimet e palëve, shumën dhe afatet. Gjithashtu, Telekomi i Kosovës Sh.A. do të përdorë mjetet ligjore në dispozicion për të kërkuar që të rikthehen të gjitha mjetet tashmë të përmbaruara pa bazë ligjore dhe me detyrim, në xhirollogarinë e Telekomit të Kosovës”, thuhet në njofitm.

Në këtë fazë, duke mos harruar faktin se Telekomit të Kosovës i është bërë dëmtim serioz nga përmbaruesi dhe instancat e gjykatave, si dhe dëmë kolateral në grumbullim të kamatave dhe pamundësisë së pagesave të obligimeve të tjera operative, Telekomi ka pritje legjitime që këtë radhë, sistemi gjyqësor i Kosovës do të ushtrojë rolin e tij kushtetues dhe ligjor në eliminimin e shkeljeve në dëm të Telekomit të Kosovës Sh.A.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025