Brezi i parë i nxënësve të shtëpive shkolla të Gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, kanë ndarë mirënjohje për banorët e fshatit Loxhë të cilët në periudhën e rëndë për arsimin shqip, hapën shtëpitë e tyre dhe i bënë shkolla.
Nxënësit e gjeneratës 1991/1995 kanë falënderuar të gjithë mësimdhënësit që kontribuuan në atë periudhë të vështirë.
Së bashku i rezistuam vendimeve të pushtetit serb, shkollimi nuk u ndal, shtëpia u bë shkollë, dhoma u bë klasë, mësimdhënësi e ndoqi misionin dhe betimin e tij, nxënësi i rrudhi këmbët dhe e afroi shokun/shoqen në dhomën e ngushtë, dyshemeja u bë bankë, dera u shndërrua në tabelë, frika në guxim, ëndrrat veç u shtuan edhe pse dyert e shkollës nuk i gjetëm të hapura e para tyre gjendeshin forcat policore që na ndalonin hyrjen në hapësirat shkollore. Rrahje e maltretime te nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve qe s’kërkonin asgjë më shume se të drejtën e shkollimit ne gjuhen amtare.
Ata që angazhoheshin në këtë sistem e sfiduan frikën por jo edhe sistemin...Jemi dëshmitarë të kësaj periudhe të errët që e ujitëm me dëshirën e madhe për shkollim dhe nuk ndaluam asnjëherë.
Takimet tona janë të përvitshme dhe të qëllimshme përpos mallit dhe kujtimeve që i ndajmë së bashku, ku një pjese e tretur rrugëve te gurbetit, disa vdekja na i mori por sot u mblodhëm me misionin për ta shpalosur vlerësimin tonë ndaj atyre që dikur na dhanë kurajën për rrugëtimet e ardhshme të jetës.