Të plagosurit civilë nga minat kërkojnë mbështetje nga Albin Kurti
Shoqata e të Plagosurve Civilë nga Minat ka protestuar sot para Qeverisë, duke kërkuar trajtim me proteza dhe rritje të pensioneve.
Jeton Kelmendi, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Plagosur Civil, thotë që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë diskriminim ndaj tyre.
“Këtu jemi sot për të treguar pakënaqësitë tona që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka bërë kundër invalidëve civilë të luftës, ku e ka bërë një diskriminim ekstrem të madh. Proteza mbi gjunjë kushton rreth 40 mijë euro, ndërsa për neve janë caktuar rreth 5.700 euro, ndërsa shumë tjetër duhet ta mbulojnë vetë anëtarët”, tha ai.
Kelmendi ka bërë të ditur se kanë 100 anëtarë të shoqatës me proteza gjuri, të cilat duhet ndërruar pasi janë duke i përdorur tash e njëzet vjet dhe se ata nuk kanë mundësi financiare, teksa ka përmendur se marrin pensione 120-152 euro, që nuk mjaftojnë për trajtim.