“Tash do ta bëjmë operacion në fyt”, kështu rrëfen nënë Eminja e cila kujton mirë ditën e ftohtë të 28 marsit, kur pa për herë të fundit bashkëshortin e saj.
E moshuara nga Izbica tregon për rezistencën para ushtrisë e policisë serbe që bashkëshorti i saj mos të ndahet nga kolona. Ajo po jeton me pamjet e tmerrshme dhe zërat që i përsëriten në kokë të kërcitjeve të armëve që nuk u ndalën për më shumë se 20 minuta.
“Burri mu ka vra këtu në Izbicë, në opqinë jena ardh, se në ’98 na janë djegur shtëpia, tani një vit nëpër dynja duke ndejt. Burri tha duam të shkojmë në Izbicë, jena ardh. Burri ka qenë ulur në traktor na ka sjell mua, fëmijët e djalit, renë, fëmijët e mi, tha shkau shqip foli ‘qu shqiptare, çfarë po pret’. Jam quar unë, i thash çfarë të kesh punë me burrë unë jepi përgjegjësi se është i bërë operacion në kry. Tha ‘tash do ta bëjmë operacion në fyt’. Kom piskat ‘kuku’, e kam kap burrin për krahu, ma ka kërsit një shkelëm në shpinë, më ka hedhur fluturim në lloq (baltë), më ka humb vetëdija, kur u qova, piskatën rejat, çikat, u qova. Burri nuk është. Nuk ka shkuar dy minuta, kanë kërsit pushkët ‘grrr’, 20 minuta edhe më shumë pa ndalë”, rrëfen ajo për KosovaPress.
Ajo thotë se nga ajo ditë nuk e ka parë më të gjallë bashkëshortin, e bashkë me fëmijë janë nisur për Shqipëri. Gruaja e të vrarit rrëfen se policia serbe kishte hedhur tri granate në drejtim të kolonës.
Nënë Eminja lutet edhe për ish-luftëtarët e UÇK-së, që tash e tri vjet po mbahen në Hagë. Për të njëjtit thotë se po gjykohen padrejtësisht dhe se të njëjtit dikur i mbronin popullatën civile. /A.Bytyqi