Takimi trepalësh në Bruksel, Bislimi demanton mediat serbe për refuzim
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Kryenegociatori për bisedime Besnik Bislimi ka demantuar raportimet e mediave serbe se Kosova ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin trepalësh të ftuar nga BE-ja për datën 17 shtator me palën serbe.
Ai ka thënë se është në fakt Serbia ajo e cila ka refuzuar që të merr pjesë në këtë takim.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për në 17 shtator, Kosova ka pranuar një takim trepalësh sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një takim të tillë, duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”, ka shkruar Bislimi në rrjetin X.
Ai i ka bërë thirrje emisarit special të BE-së Miroslav Lajçak të hedhë poshtë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe, ku thuhet në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve.
Mediat serbe kanë raportuar se një raund i ri i dialogut do të mbahet javën e ardhshme në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi, i cili është planifikuar për të martën.
Edhe pse Beogradi ofroi dhe shprehu gatishmërinë për të mbajtur një takim trepalësh, Bislimi refuzoi, sipas mediave serbe. Në rend dite, sipas këtyre mediave, Beogradi zyrtar ka propozuar diskutime për urën mbi Ibër dhe formimin e asociacionit.