Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka deklaruar se Qeveria është e paaftë në relacion me politikën e Serbisë, siç është e paaftë edhe në çështjes së blerjes së librave. Sipas tij, në skandalin e përmasave ndërkombëtare për rezervat shtetërore, Qeveria gjen kohë të drejtoi gishtin te prokuroria dhe organet e sundimit të ligjit.
Tahiri në një konferencë për media ka thënë se për rezervat shtetrore, tanimë dihet se 52.5 ton miell nuk kanë ardhur në Kosovë, po nuk ka ardhur as sheqeri dhe vaji. Sipas Tahirit, në dokumentet e prezantuara, dëmi i pretenduar është 61940 euro.
Ai shtoi se për AAK-në është e habitshme se si Qeveria po sillet edhe me çështje tjera, siç është deklaratat e ministrit të brendshëm të Serbisë, dhe nuk ka asnjë qëndrim politik dhe institucional nga Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, kjo qeveri duhet të shkarkohet me mocionin e propozuar nga AAK dhe se në fillimin e punës së Kuvendit në shtator, kanë kërkuar që sesioni i punës të nis me një seancë të jashtëzakonshme dhe pikë e vetme të jetë mocioni për shkarkimin e Qeverisë.