Tahiri: Urdhri për listat e grevistëve, tentim shantazh nga Ministria e Financave
Lexohet për: 2 min.
AAK Besnik Tahiri - Holli Kuvendit 31032022 (5 of 5) (1)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pasi Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndërprerë pagën për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se urdhri për komunat nga Ministria e Financave dhe ajo e Arsimit, lidhur me listat e punëtorëve në grevë, është shkelje e autonomisë, tentim shantazhi e frikësimi dhe veprim që bie në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve. 

Autonomia e komunave është e përcaktuar me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, si dhe Kushtetutë e Ligjin për Vetëqeverisje Lokale (Neni 17), ku janë përcaktuar kompetencat vetanake të komunave. 

Ngjashëm me këtë, Tahiri thotë se Ministria e Arsimit, ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese për rastin e shkollave në Kamenicë, ku në vend të bashkëpunimit mes dy niveleve të qeverisjes, shkresat në formë 'urdhrash', e konfliktet ndër-institucionale ndërtojnë praktika të rrezikshme. 

“Porosia ime për qeverinë është e thjeshtë: nuk jeni në tokë të bukës, nuk po e kuptoni se është e domosdoshme që të kthehet dialogu mes partnerëve social, e që kjo formë e presionit të mos shtrihet edhe te mekanizmat tjerë”, shkruan Tahiri.

Më 25 gusht, Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë, sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shpallur grevë të përgjithshme nga 25 gushti, për realizimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Kjo për shkak se sindikalistët nuk kanë arritur të dakordohen me zyrtarët e institucioneve, për ta anuluar grevën e paralajmëruar ditë më parë.

Greva e SBASHK-ut është quajtur e paarsyeshme nga kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në kohën kur Projektligji për pagat është proceduar dhe pritet të miratohet në Kuvend.

Nagavci ka thënë se me projektligjin e ri, punëtorët e arsimit do të kenë paga të dinjitetshme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024