Në shqyrtimin e parë të këtij projektligji, Sveçla ka shtuar se për herë të parë do të adresohet problemi i pazgjidhur për dy dekada të çështjes së pagave në sektorin publik.
“Drejt synimit për një administratë profesionale, Ligji për Pagat dhe ai për Zyrtarët Publik nuk mund të shihen si të ndarë. Vetëm bashkëveprimi i tyre i mirëfilltë është në shërbim të qëllimit të tyre kryesor, reformës së domosdoshme në administratën publike. Përderisa, me projektligjin për Zyrtarët Publik, zyrtarin publik e vendosim në qendër, përmes projektligjit për Paga, kompensojnë dinjitetshëm shërbimin ndaj shtetit dhe publikut. Mbrojtja dhe shpenzimi brenda kornizave ligjore i parasë publike është parim kyç me të cilët duhet të udhëhiqemi në të gjitha politikat publike”, ka thënë ai.
“Paraja publike sot shpërndahet me mungesë rrënjësore të transparencës përmes vendimeve arbitrare e pa kritere. Si rezultat, ky sistem ka prodhuar pabarazi në mes të të punësuarve të sektorit publik, ku dallimi në mes të pagës më të ulët dhe asaj më të lartë brenda sektorit publik është 20 herë. Pra, paga më e ulët është 20 herë më e vogël se sa paga më e lartë, duke e bërë këtë pabarazi pothuajse të pashembullt në Evropë dhe rajon”, ka shtuar ai.
Me këtë projektligj, ai tha se për herë të parë themelohet sistemi i unifikuar i pagave në sektorin publik, të bazuar në ligjshmëri, transparencë, barazi, parashikueshmëri e drejtësi.
Në seancë plenare, Sveçla ka deklaruar se me këtë projektligj është ruajtur parimi i hierarkisë, ku tha se paga e deputetit ka koeficientë të njëjtë me drejtuesit e Agjencisë së Aviacionit Civil dhe Navigimit Ajror dhe drejtuesve në agjencitë që menaxhojnë me sistemin e informacioneve.
“Kryetari i Kuvendit të Kosovës, kryetari i Gjykatës Supreme, kryeprokurori i shtetit dhe kryeministri kanë përcaktim të njëjtë të koeficientit. Zëvendësit e të njëjtëve, si dhe stafi vartës gjithashtu janë vendosur në linjë të njëjtë horizontale dhe parimi i tillë ndiqet përgjatë gjithë ligjit. Mjeku, specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në gjykatën dhe Prokurorinë Themelore dhe të përafërt me profesorin e rregullt. Polici dhe oficeri doganor janë me raporte të përafërta të koeficientëve. Një mësimdhënës të shkollës së mesme të lartë ka koeficientë të përafërt me pozicion profesional 1 në Zyrën e Kryeministrit. Ndërsa, një mësimdhënës në shkollë të mesme të ulët ka koeficientë të ngjashëm me pozitën profesional 1 në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.