Aktet e ndryshme kriminale përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet politike vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i cili mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temën “Ndërtimi i Reziliencës: Programet R&R për Ekstremistët dhe Luftëtarët e Huaj në Kosovë dhe Itali’ e cila është organizuar nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Sveçla me këtë rast u shpreh se institucionet e Kosovës ndër vite kanë bërë hapa të mëdhenj në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit, e raportin e publikuar sot konsideroj se do të ndihmoj në njohjen e metodave të reja për parandalim të këtyre fenomeneve.
Ai shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Terrorizmit dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten ndër kërcënimet më serioze në mbarë globin, përveç ekstremizmit të motivuar nga keqpërdorimet e religjionit që ka qenë prezent deri tani format e tjera të terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm si e djathta ekstreme apo etnonacionalizmi janë në rritje. Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet e ndryshme politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit. Ndaj institucionet tona janë të përkushtuara që mbi bazë të analizave të përshtati format dhe veprimet e tyre për tu ballafaquar me format e reja të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Në këtë kuptim bashkëpunimi mes shteteve dhe institucioneve të sigurisë është esencial në luftimin terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha ai.
De Riu u shpreh se tani duhet fokus më i madh në promovim dhe lehtësim të iniciativave të reja për programe për rehabilitim dhe riatdhesim për të kthyerit.
“Ky trend ka ndryshuar në vitin 2019 me kthimin e shumicës së luftëtarëve nga Kosova që ishin atje dhe anëtarëve të familjeve dhe fëmijët që kishin lindur në zonat në konflikt. Kosova riatdhesoi një grup të madh të shtetasve nga Siria, e marrja e kësaj qasje aktive të riatdhesimit e vë Kosovën në ballë të përpjekjeve për rehabilitimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe grave të riatdhesuara nga Siria në shoqëri duke hapur një fazë të re në luftimin e kërcënimeve potenciale nga luftëtarët e huaj dhe familjet e tyre. Tani duhet të fokusohemi më shumë në promovimin, nxitjen dhe lehtësimin e iniciativave të reja në terren dhe platformave për pjesëmarrje të qytetarëve dhe për mbështetjen e komunitetit siç janë programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të kthyerit si brenda ashtu edhe jashtë burgjeve, mund të ndihmoj në ballafaqimin më të lehtë me këto probleme”, u shpreh ambasadori italian në Kosovë.
“Kohët e fundit e kemi vërejtur që një ndër fushat të cilat ka pasur më shumë vështirë dhe mungesë të përvojës është rehabilitimi dhe riintegrimi dhe Qendra kohët e fundit fokus të rëndësishëm i ka dhënë kësaj fushe. Në kuadër të këtij bashkëpunimi me partnerët italian qendra ka iniciuar këtë projekt i cili ka qëllim që të shkëmbej përvojat mes Kosovës dhe Italisë sa i përket një njohurie të përbashkët në lidhje me trajtimin sa më adekuat të kësaj teme. Qëllimi është me iu ofruar rekomandime institucioneve të ndryshme sa i përket mënyrës së trajtimit të këtyre problemeve. Mendoj se raporti do tu ndihmoj të gjithëve sa i përket ngritjes së njohurive sa i përket luftimit të fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm”, theksoi Vrajolli.
Marco di Liddo udhëheqës i analizave në CeSI u shpreh se përmes këtij projekti synojnë të ngrisin vetëdijen për fenomenin e ekstremizmit dhe shkëmbimin e përvojave për këtë dukuri.
Të gjeturat e raportit i prezantuan nga Skënder Përteshi nga QKSS i cili tha se Kosova është shembull për vendet e BE-së për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Përteshi theksoi se programet e veçanta kanë bërë punë të mirë në Shërbimin Korrektues të Kosovës për çështjen e riintegrimit dhe rehabilitimit të personave të kthyer nga zonat e konfliktit.
Përteshi theksoi se aktualisht është në proces edhe strategjia e re në luftimin e terrorizmit.
“Kosova është një model që mund të përdoret dhe nga vendet BE-së kur flasim për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit, dhe po ashtu edhe për zbatimin e programit të trajtimit dhe riintegrimit. Ofrimi i trajnimeve për institucionet e Kosovës ato të drejtësisë në fokus e përfshirë MASHT, Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Sprovues dhe Korrektues ku kanë ofruar programe konkrete për rehabilitimin dhe riintegrimin personave të radikalizuar ku kontribut të veçantë kanë dhënë organizatat ndërkombëtare dhe ambasada në Kosovë përmes trajnimeve dhe programeve të rehabilitimit dhe po duket se kanë qenë të suksesshme sepse radhët e recidivizmit të personave që kanë qenë të përfshirë në organizata terroriste dhe përfshirja e tyre e sërishme në këto raste ka qenë shumë, shumë e vogël ka qenë diku 4 apo 5 individë“, theksoi Përteshi. /B.Ibishi/