Fëmijët që po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë suprizuar me disa dhurata nga alpinistët e Klubit “Alpin Prishtina”.
KAP së bashku me “Care for Kosovo Kids” organizuan ngjarjen “Superheronjtë”, ku alpinistët u lëshuan me litarë nëpër ballkonet dhe dritaret e Pediatrisë duke shpërndarë dhurata për pacientët.
Menaxherja për aktivitete në “Care for Kosovo Kids”, Mrika Karaçi tha se ky aktivitet ka për qëllim ngritjen e fondeve dhe vetëdijesimit për fëmijët me kancer që gjenden në Klinikën e Hematoonkologjisë Pedriatike në QKUK.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Bankës Ekonomikë të Kosovës, Shpend Luzha tha se buzëqeshja e fëmijëve është shtyrje dhe motiv për të mbështetur aktivitete të tilla.
Ndërsa, drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi tha se është rritur lista esenciale për trajtimin e fëmijëve.
Lidhur me organizimin, Azizi tha se janë të mirëseardhura, meqë sipas tij përveç trajtimit shëndetësor, fëmijët kanë nevojë edhe për trajtim shpirtëror.