Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje shtesë në lidhje me sulmin ndaj kryetarit të kësaj komune Gazmend Muhaxheri.
Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka bërë të ditur për KosovaPress se me këtë rast janë arrestuar dy persona, të cilët pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Gjithashtu në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të sqarohen të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht sot në mëngjes në rrugën “Bill Clinton” në Pejë.Përndryshe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Pejë, Ali Berisha, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Gazmend Muhaxherit.
"Secili akt dhune është i papranueshëm dhe duhet të marrë epilogun meritor. Akte të tilla shëmtojnë pasqyrën tonë, qoftë si qytet, shtet e komb", ka thënë Berisha.