Megjithëse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga sulmi kibernetik ndaj sistemeve të policisë ato nuk janë akoma kthyer totalisht në normalitet.
Në të gjitha pikat e kalimit kufitar vijon regjistrimi manual i qytetarëve. Ka pasur tentativa të vazhdueshme nga ana e policisë për ringritje të sistemit por ai ose është I ngadaltë ose nuk i merr të dhënat.
Në rast se ka fluks të shtuar udhëtarësh policët e kufirit vetëm fotografojnë pasaportat dhe plotësimin e të dhënave e bëjnë në një moment të dytë. Kjo ndodh edhe në Rinas.
Sipas Ministrisë së Brendshme, ngadalësimi është thuajse i pandjeshëm dhe ai vjen për shkak të serverave të rinj të vendosur për të mbrojtur sistemin TIMS nga sulmi i së shtunës.
Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e këtij sulmi ka detektuar në sistem ndërhyrje nga 18 IP që i përkojnë 18 vendeve të ndryshme.
Policia shqiptare u ka nisur letër-porosi këtyre vendeve për të shkuar tek autorët e këtij sulmi.
Nga mungesa e sistemit të policisë janë penalizuar edhe qytetarët e gjobitur nga policia të cilët nuk mund ta shlyejnë gjobën brenda 5 ditëve dhe do t’u duhet ta paguajnë me kamat vonesë.
Në mungesë të sistemit është vështirësuar puna në të gjitha komisariatet dhe drejtoritë të cilët nuk përpilojnë asnjë shkresë me kompjuter dhe çdo gjë e shkruajnë në blloqe shënimi./tch