Sulmet mbi sistemet tona kompjuterike dhe siguria jonë kombëtare
Lexohet për: 9 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kuptimi i termit anglisht “cybernetic(s)” ka një kuptim krejt të ndryshëm nga parashtesë fjalëformuese e anglishtes “cyber”. Prandaj kur në anglisht thuhet “cyber-crime” nuk flitet për “cybernetic crime” dhe nuk do të duhej të përkthej as në gjuhën shqipe si “krim kibernetik” se kibernetika në Fjalorin e Gjuhës Shqipe shpjegohet si “shkenca që studion ligjet ose veçoritë e përgjithshme të drejtimit në organizmat e gjallë e të makinave si edhe metodat e mundësitë teknike për të lehtësuar punën e njeriut, duke zëvendësuar disa nga veprimet e tij mendore e praktike me anë të aparateve e të pajisjeve të ndërlikuara automatike” ose thënë më ndryshe është shkenca e cila merret me studimin e kontrolleve të çfarëdo qoftë sistemi duke përdorur teknologjinë.

Pra, shtrohet pyetja se a duhet thënë “krim kibernetik” apo duhet gjetur një term tjetër i cili më saktësisht do të shpjegonte dhe do të emërtonte atë që në anglishte është “cyber-crime”?

Prandaj, me emërtimin e përcaktuar mirë dhe të përpiktë të nocionit “cyber-crime” duhen të merren gjuhëtarët dhe profesionistët e Teknologjisë së Informacionit e Komunikimeve.

Por, qëllimi i këtij shkrimi nuk ka të bëjë edhe aq me kuptimin e termit “cyber-crime” se a është përkthyer mirë a jo, po ka të bëjë me sulmet mbi sistemet kompjuterike në të cilat ruhen të dhënat e rëndësishme për funksionimin si duhet të një shoqërie në epokën e kompjuterëve e të sistemeve kompjuterike.

Te ne ekziston një thënie popullore që ndërlidhet me shpalosjen e informacionit dhe dëmtimin e pronarit të informacionit, dhe ajo është “Ku e di mbreti se kam dhi, po e kam dreqin kojshi”

Nuk kam qenë në Akshehër për ta parë tyrben e Nasradin Hoxhës, po ata që e dinë e thonë se e ka një dry të madh në derë po dritaren e ka të hapur.

Nuk po u them ekspertëve të Teknologjisë së Informacionit e Komunikimeve, se ka të tillë që i dinë edhe ato që nuk i dinë, por po iu drejtohem atyre që i dëgjojnë “ekspertët” e Teknologjisë së Informacionit e Komunikimeve të cilët mund të jenë përdorues të sistemeve të TIK-ut po jo edhe dizajnues.

Prandaj shlirshëm dhe me saktësi mund të thuhet se nuk është IT-i i mirë ai a ajo që e përdor një sistem të mirë të TIK-ut, po është IT-i ai a ajo që dizajnon e ndërton e ngre një sistem të mirë të Teknologjisë së Informacionit e Komunikimeve.

Dhe shtrohet pyetja: A ka te ne dhe në mesin tonë ekspertë të mirëfilltë a eksperte të mirëfillta të TIK-ut? Unë e them, po. Por a ka në vendin tonë sistem dhe ecuri si duhet të funksionimit si duhet të një sistemi të mirëfilltë të TIK-ut? Këtu nuk mund të përgjigjem shpejt dhe saktë, po këtë po ua la ta kuptoni dhe edhe ta thoni.

Kur them në vendin tonë, nuk mendoj në tokën e Kosovës, se të tilla sisteme ka dhe sistemet e tilla nuk janë sisteme tona po janë të shteteve mike e besa edhe jo mike.

Po e vazhdoj duke u nisur nga këputja e kabllos optike e cila lidh pikat a pikën kufitare në veri të vendit tonë me pjesët e tjera të vendit dhe me sistemet e vendeve mike e vendeve jo mike. Dhe kur flitet për siguri pashmangshëm shtrohen pyetje të shumta dhe priten edhe përgjigje të shumta.

Pra: A do të duhej që pikat a pika kufitare në veri të vendit të mbështeten a të mbështetet në kabllon optike e cila është e shtrirë në rrugën a në trasenë e cila nuk mbikëqyret tërë kohën dhe e cila edhe nuk mund të kontrollohet tërë kohën? Apo duhet menduar zgjidhje tjetër nëpërmjet të një linku të drejtpërdrejtë satelitor që do të merrej nga vendi mik siç është ShBA e që është e realizueshme lehtë dhe do të duhej realizuar shpejt pasi që ka të bëjë me një siguri të lartë e të nevojshme?

Pastaj, Qendrat e të Dhënave (Data Centers) që të tilla ka përplot në vendin tonë se, në vitet e pasluftës ishin nevojë edhe pse bëheshin e edhe pa nevojë, si janë të dizajnuara dhe a janë të dizajnuara asisoj që tu bëjnë ballë sulmeve të çfarëdoshme?

Dihet se serverët e shumtë e tejet të kushtueshëm të teknologjisë më të re ngiten në këto Qendra të të Dhënave, dhe prapë njerëzit e këtij vendi i marrin shërbimet në letër, o presin për to më shumë se që duhet edhe kur nuk duhet.

Në Qendrat e të Dhënave serverët janë të futur në dollapët e posaçëm të cilët kanë rrotë dhe këmbëmbajtëse. Rrotat për të lëvizur sipas nevojës e këmbët për të ndenjur në vend. Dhe shtrohet pyetja se po të ndodhë sulmi mbi një Qendër të të Dhënave, a ka ecuri të duhur që do t’i zhvendoste shpejt këta dollapë në ndonjë lokacion të sigurt duke i nxjerr shpejt e sigurt nga ndërtesa? Nuk e besoj!?

Vendi ynë jo i pasur ka bërë investime shumë e shumë milionëshe në infrastrukturën e Teknologjisë së Informacionit e Komunikimeve. Kabllot e të gjitha llojeve janë të shtrira gjithandej mjediseve tona, në nëntokë e mbi tokë, në çati e mbi kokat tona, dhe pothuaj ngado dhe kudo po prapë se prapë USB-të futen gjithë andej. E kur jemi te USB-të, dihet rasti i centrifugave për pasurimin e uraniumit në centralin bërthamor në Natanz të Iranit, në janar të 2010-s kur u përdor arma digjitale e cila u shpërnda nëpërmjet të një USB-ie të infektuar dhe i shkatërroi sistemet kompjuterike të centrifugave të pasurimit të uraniumit.

Depot Qeveritare janë të tejmbushura me pajisje të shumta të TIK-ut të cilat nuk janë përdorur asnjëherë dhe edhe nuk mund të përdoren më. Softuerët e shumtë janë blerë dhe blihen nga kushdo dhe kurdo dhe instalohen kudo dhe kurdo.

Shteti ynë paguan licenca të shumta edhe për softuerët që nuk përdoren, hapësirat magazinuese janë të rendit tera e besa edhe të rendit peta, eksa, zeta, jota e bronto, dhe çfarë nuk ka në to - të dhëna që nuk do të duhej të ishin në to.

Fqinji ynë verilindor i mori pothuajse gati falas licencat e Microsoft-it e ne kemi paguar e paguajmë milionat.

Fjalëkalimet e sistemeve më të rëndësishme të vendit jepen me email të dhënësve të ndryshëm a edhe me viber, messenger a me whatsupp.

Nuk ka përfaqësues qeveritar që dikur a edhe tash që nuk i ka përdorur a nuk i përdor shërbimet emailit nga dhënësit e shërbimeve joqeveritare. Askush nuk lodhet dhe pa kurrfarë përgjegjësie përcjell të dhënat e sigurisë kombëtare nëpërmjet hotmail, gmail, yahoo, AOL etj., pa përjashtuar edhe fjalëkalimet e rëndësishme të sistemeve të sigurisë së lartë.

Frikësohen nga ata që e kanë detyrë të kujdesen për të dhënat e sigurisë kombëtare, po u besojnë atyre që nuk i njohin. I dërgojnë të dhënat gjithandej e nuk e dinë fare se ku u rrinë të dhënat dhe kush kujdeset për të dhënat e tyre.

Dikur në vendin tonë kishte shkolla nate dhe ato u bënë për t’ua mundësuar njerëzve të politikës që të mund të arrijnë një lloj kompetence në vendet e tyre të punës, po siguria nuk mbështetej në ata e ato me shkolla nate. Dhe edhe sot është po kësisoj.

Për sigurinë e të dhënave të rëndësisë së veçantë jo rrallëherë vendosin ata e ato që monitorit i thonë kompjuter!?

Mjafton të dish të thuash kompjuter o kumputer dhe të jepet e drejta të vendosësh se kush e si e kur mund të përdorë kompjuterin.

Dhe dua të besoj edhe pse vështirë të besohet se do të kemi diçka ndryshe një ditë të një dite ndërlidhur me sigurinë e të dhënave që prekin sigurinë kombëtare!?!?

Pa auditimet e mira e të duhura nuk mund të kemi sigurinë e duhur.

Kujdesi i duhur dhe vetëdijesimi i ngutshëm e i detyrueshëm pa timbrin e zemërimit duhet të mbizotërojë që të mund të kemi sisteme të sigurta kombëtare. Djemtë dhe vajzat tona kandidatë e kandidate për ekspertë të mirëfilltë duhen të jenë të shkolluar e të shkollohen më tej në qendrat më të mira të sigurisë në vendet mike, sidomos në SHBA, në Angli e në Gjermani, ku do ta përditësonin dijen e ku do të mbindërtonin kompetencën profesionale.

Dikur teknikët e telegrafit ishin ata që shpëtonin jetë dhe mundësonin përcjelljen e informacionit në vendin dhe kohën e duhur duke ndihmuar fitimin edhe të luftës. E sot IT-të e mirëfilltë janë o duhet të jenë ata e ato që mundësojnë mirëfunksionimin e sistemeve kompjuterike në të cilat mbështetet politikëbërja po edhe funksionimi normal i vendit përfshirë fortifikimin e kështjellave tona digjitale dhe ruajtjen si duhet të thesareve digjitale që u thonë të dhëna të sigurisë kombëtare.

Prandaj duhen bërë rregulla e duhen zbatuar rregulla për të sjellë rregullsinë e duhur në mjedisin tonë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve që do të ruante dhe që do të ngrinte në nivelin e duhur sigurinë tonë kombëtare ndërlidhur me të dhënat e rëndësishme të vendit.

E po ashtu edhe kështjellat digjitale sa më parë duhen fortifikuar mirë që tu bëjnë ballë sulmeve të çfarëdo qofshin ato, e në anën tjetër duhen krijuar ekipet profesionale të cilat me mjetet e duhura do të identifikojnë sulmuesit a vendet e mjetet e tyre luftarake digjitale që të mund të bëhet fortifikimi më i mirë dhe të ngrihet si duhet mbrojta e kështjellës digjitale.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025