Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup: Provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Studentët shqiptarë protestojnë në Shkup: Provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në shqip
stushkup
18/05/2026 - 19:59
Linku u kopjua

Studentët shqiptarë nga të gjitha viset u mblodhën edhe një herë te Ura e Gurit në Shkup për protestuar me kërkesë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Studentëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut iu bashkuan ata nga Kosova, ndërsa autoritetet policore maqedonase studentët shqiptarë nga Shqipëria ua devijuan rrugën, ku sipas organizatorëve kjo u bë me qëllim që të pengohet pjesëmarrja e tyre në protestë.

Organizatori i protestës, Mevlan Ademi tha se kërkesa e tyre që provimi i jurispodencës është kërkesë e denjë dhe sipas tij, një gjë e tillë është edhe e drejtë kushtetuese.

“Studentët shqiptarë nga Tirana në mënyrë të dhunshme dërgohen në Kumanovë, protesta është në Shkup. Po dalim të protestojmë në formë paqësore, provokohemi rrugës. Sot ky zë kërkon vetëm një gjë, të drejtën për të folur shqip në tokën e tij. A ka kërkesë më të denjë se kjo? Ne shqiptarët në këtë tokë ku kanë jetuar e varrosur të parët tonë, kërkojmë gjuhën tonë, amanetin tonë. Kjo nuk është privilegj, por është e drejtë kushtetuese e këtij vendi, e drejtë e fituar nga Marrëveshja e Ohrit dhe e drejtë që nuk varet nga humori i një ministri a partie. Kjo është një e drejtë që lind me ne sepse ne kemi qenë këtu dhe çdo herë do të jemi këtu”, tha ai.

Në foltore u ngjit edhe organizatori tjetër, besart Sejdiu i cili tha se studentët shqiptarë në Maqedoni të Veriut nuk janë në tokë të huaj dhe se me mbajtja e provimit të jurispodencës nuk është privilegj, por e drejtë.

“Ne nuk jemi në tokë të huaj, jemi në tokën tonë. Gjuha shqipe ka rol, ka lindur bashkë me jetën në këto troje. Nuk kërkojmë privilegje, sepse privilegje s’kemi pasur kurrë. Kërkojmë barazi. Ministër, je ulur në kolltukun e popullit, paguhesh me djersën e prindërve tanë. Mos e merr atë karrige si të mirëqenë”, tha ai.

E një student tjetër, Besian Rexhepi në këtë protestë tha se studentët shqiptarë nuk do të lodhën nga protestat për të kërkuar që provimi i jurispodencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Ai përpara masës tha se kërkesa e tyre është normale në çdo shtet demokratik.

“Sot jemi përsëri këtu, jo pse kemi dëshirë të protestojmë por sepse ende s’kemi asnjë përgjigje. Pas protestës së parë pritëm reflektim, dialog, pritëm përgjegjësi institucionale, pritëm harmonizimin e Ligjit për Gjuhën në Ligjin për Jurispodencën, por ajo që morëm ishte heshtje, vonesë dhe përpjekje për ta rehabilituar kërkesën tonë.  Po e themi qartë se studentët nuk do të lodhën duke kërkuar të drejtat e tyre. Ne nuk kërkojmë favore e as privilegje, por vetëm atë që është normale në çdo shtet demokratik, që provimin i jurispodencës ta japim në gjuhën shqipe, në të cilën kemi studiuar”, tha ai.

Përpara se studentët të mbërrinin përpara Ministrisë së Drejtësisë, sipas informacioneve që dhanë organizatorët e protestës, policia arrestoi tre studentë, pas një përleshjeje që kishin me një qytetar maqedonas.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026