Stoltenberg: Rusia pësoi "disfatë strategjike" në Ukrainë
Lexohet për: 2 min.
Stoltenberg
1 vit më parë
Linku u kopjua

Rusia ka pësuar një “disfatë strategjike” të madhe në luftën në Ukrainë, tha të premten shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Duke folur për mediat gjermane, Stoltenberg tha se presidenti rus Vladimir Putin dështoi të arrijë qëllimin e tij për të parandaluar afrimin e Ukrainës me Evropën.

“Putini dëshiron një Evropë në të cilën Rusia mund të dominojë fqinjët e saj. Por Ukraina tani është më afër se kurrë më parë me NATO-n dhe BE-në. Kjo është një humbje e madhe strategjike për Rusinë”, tha ai për agjencinë gjermane të lajmeve dpa.

“Presidenti Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë. Përveç kësaj, Rusia ka humbur qindra avionë, mijëra tanke dhe 300,000 ushtarë janë vrarë ose plagosur”, tha ai.

Stoltenberg pranoi se kundërofensiva e ushtrisë ukrainase nuk ka arritur të japë rezultatet e pritshme, por nënvizoi se vendet perëndimore do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.

“Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, shumica e ekspertëve kishin frikë se rusët do të merrnin kontrollin e Kievit brenda disa ditësh – duke përfshirë ekspertët këtu në NATO. Që atëherë, ukrainasit arritën të çlirojnë 50% të territorit që ishte i pushtuar”, tha ai.

“Ukrainasit kanë fituar beteja të mëdha në Kiev, Kharkiv dhe Kherson – këto janë fitore të jashtëzakonshme ushtarake. Ukraina e ka pohuar veten si një shtet sovran, i pavarur dhe i ka shkaktuar humbje të rënda Rusisë në këtë proces”, tha Stoltenberg./aa/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025