Stërvitjet serbe pranë kufirit, Kurti kërkon ndëshkim ndërkombëtar
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Stërvitjet serbe pranë kufirit, Kurti kërkon ndëshkim ndërkombëtar
Albin Kurti 1
19/03/2026 - 12:44
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj, siç e cilësoi, demonstrimit të pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë në jug të saj, pranë kufirit me Kosovën, duke e konsideruar atë si provokim të hapur dhe kërcënim për stabilitetin rajonal.

Kurti tha se shfaqja e forcës ushtarake me helikopterë dhe parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në komunën e Bujanocit përbën trysni dhe përpjekje për frikësim të popullsisë lokale. Sipas tij, këto veprime janë edhe më shqetësuese duke pasur parasysh, siç u shpreh ai, të kaluarën e njësive të përfshira në incidente të dhunshme në veri të Kosovës.

Kurti po ashtu bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë dhe të ndërmarrë masa konkrete ndaj, siç e quajti ai, qasjes destabilizuese të Serbisë, me qëllim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.

“Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë me helikopter dhe parashutistë në zona të banuara me shqiptar në komunën e Bujanocit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës. Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përben jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur, të Republikës së Kosovës. Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaqevë nga njësia e brigadës 63 të Parashutisteve të Serbisë përmes stërvitjeve me helikopter H-145 M, dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës përbejnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit. Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit, Milan Radojiçiq të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Bajnskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakin, heroin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Ai theksoi se lëvizjet ushtarake të Serbisë, të shoqëruara me deklarata nxitëse nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe armatosja me pajisje nga Rusia dhe Kina, tregojnë për një strategji të qëllimshme për të mbajtur tensionet në rajon.

Kurti shtoi se, në një kohë të pasigurisë globale për shkak të luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Lindjen e Mesme, Serbia po përpiqet të sfidojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në përputhje me interesat e aleatëve të saj.

“Këto lëvizje ushtarake të kombinuara me retoriken nxitëse të presidentit të Serbisë, Vuçiq se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci-Shqipëri-Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazh për të mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm. Në një kohë kur siguria globale është tejet e brishtë për shkak të agresionit të vazhdueshëm rus në Ukrainë, si dhe tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme me Iranin gjithnjë më agresor ndaj fqinjëve, Beogradi po shfrytëzon këtë moment për të sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj, Rusisë dhe Iranit që duan të kenë trazira, konflikte dhe paqëndrueshmëri gjithandej”, ka thënë Kurti.

Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi se veprimet e Serbisë burojnë nga, siç tha, “dëshpërimi”, duke theksuar se Beogradi nuk ka më ndikimin e dikurshëm në Kosovë përmes strukturave ilegale.

Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc që të mos bien pre e politikave destabilizuese, ndërsa siguroi se institucionet e Kosovës mbeten vigjilente ndaj çdo kërcënimi.

“Në anën tjetër duhet të vërejmë se Serbia këtë po e bën nga dëshpërimi i saj. Së pari tash nuk kanë më struktura ilegale e paralele në Kosovë, që të na destabilizojnë e cenojnë se brendshmi, andaj, sillen e pështillen rrotull kufirit. Dhe së dyti, Serbia nuk mund të mbaj më rajonin tonë të Evropës Juglindore peng. Ajo ka ngelur e fundit për nga indekset ndërkombëtare të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Të gjithë ne të tjerët e duam BE-në. Kurse ajo është përcaktuar për Federatën Ruse. Në këtë rast, thirrja jonë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc është që të mos bien pre e politikave nxitëse e destabilizuese, autokratë e shtypëse. Institucionet e Kosovës ,mbeten vigjilente dhe të gatshme për tu përballur me çdo kërcenim. Është koha që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale. Është koha e fundit që bota demokratike të dënojë veprimet e tilla të përsëritura të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkret për mbrojtjen e te drejtave dhe lirive të shqiptareve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, ka nënvizuar Kurti.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026